Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Seuli i kërkon Japonisë të jetë më e përulur përballë historisë

Seul, 10 janar – Japonia duhet të mbajë një qëndrim më modest përballë historisë, deklaroi sot presidenti koreano-jugor Moon Jae-in, ndërsa marrëdhëniet midis dy aleatëve të Uashingtonit vijojnë të jenë të ngrira nga mosmarrëveshjet historike dhe territoriale.

Këto grindje janë në thelb një trashëgimi e pushtimit të dhunshëm të Gadishullit Korean nga Japonia, midis periudhës 1910-1945, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.

‘’Besoj se qeveria japoneze duhet të shfaqë një qëndrim më të përulur, por politikanët japonezë e politizojnë çështjen’’, shprehu keqardhjen presidenti koreano-jugor gjatë një konference shtypi.

Sipas të dhënave koreano-jugore, rreth 780 000 koreanë vdiqën nga puna e detyruar gjatë pushtimit japonez nga viti 1910 deri në 1945, shifra nuk përfshin grate të regjistruara me force në bordellot e ushtrisë.

Japonia e merr të mirëqenë se çështja e kompensimit që lidhet me luftën u zgjidh nga traktati i vitit 1965 që rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis Seulit dhe Tokios dhe parashikonte dëmshpërblime në vlerën e 700 milionë eurove dhe hua preferenciale.