Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Serbia refuzon ekstradimin e të shumëkërkuarit nga Britania

I dyshuari besohet se është pjesë e një bande me tre italianë të tjerë që janë burgosur në nëntorin e kaluar për rolin e tyre në plaçkitje të shtëpive të Ecclestone, Frank Lampard dhe një vile që i përkiste tani pronarit të ndjerë të Leicester Cityt, Vichai Srivaddhanaprabha. Ata vodhën gjësende të çmueshme në vlerë prej 26 milionë funteve

Serbia ka refuzuar kërkesën për ekstradimin e një personi të kërkuar për një prej plaçkitjeve më të mëdha në historinë e Britanisë së Madhe.

I njohur për policinë metropolitane si Daniel Vukoviq, ai besohet se i ka prirë një serie të plaçkitjeve në shtëpitë luksoze të tre të famshmëve gjatë dhjetorit të vitit 2019. Këtu përfshihet edhe plaçkitja e gjësendeve në vlerë prej 25 milionë funteve nga shtëpia e modelistes së njohur britanike, Tamara Ecclestone. Dokumentet gjyqësore të siguruara nga BBC-ja konfirmojnë kërkesën e policisë metropolitane për ekstradimin e tij nga Serbia në pranverën e vitit 2021.

Kërkesa e parë ishte bërë më 14 prill dhe i ishte dorëzuar Gjykatës së Lartë në Beograd nga departamenti i specializuar për krimin e organizuar. Aplikacioni për ekstradim ishte bërë me kërkesë të Policisë Metropolitane që donte ekstradimin e Vukoviqit që të gjykohej për kryerjen e plaçkitjeve dhe shpëlarjen e parave. Ekstradimi është refuzuar më 15 korrik nga Gjykata e Lartë në Beograd. Ndërkaq, më 13 tetor ky vendim është apeluar, mirëpo përsëri është refuzuar nga Gjykata e Lartë në Beograd.

Detajet në dokument thonë se “Ljubomir Romanov” është “banor i ligjshëm” i Serbisë dhe se për këtë shkak, baza ligjore për ekstradim nuk është plotësuar. Serbia pastaj ka përmendur traktatin e ekstradimit mes saj dhe Britanisë së Madhe i nënshkruar në dhjetorin e vitit 1900. Me këtë traktat dy shtetet mund të refuzonin ekstradimin e qytetarëve të saj. BBC-ja ka zbuluar pamje të reja të Vukoviqit duke u larguar nga Aeroporti Heathrow në dhjetorin e 2019-s dhe se ai ka përdorur së paku 19 pseudonime.

Ai gjithashtu ka lidhje me shtetet, përfshirë Serbinë, Italinë, Kroacinë, Bosnjën dhe Perunë. Autoritetet italiane kanë deklaruar se emri i tij është Alfredo Lindley, derisa dokumentet e qeverisë në Serbi tregojnë se kërkesa për ekstradimin e tij është bërë nën tjetër emër – Ljubomir Romanov.

I dyshuari besohet se është pjesë e një bande me tre italianë të tjerë që janë burgosur në nëntorin e kaluar për rolin e tyre në plaçkitje të shtëpive të Ecclestone, Frank Lampard dhe një vile që i përkiste tani pronarit të ndjerë të Leicester Cityt, Vichai Srivaddhanaprabha.

Një bandë ndërkombëtare e hajdutëve të bizhuterive është burgosur pas serisë së plaçkitjeve të gjërave të çmueshme në vlerë prej 26 milionë funteve.

Jugoslav Jovanoviq, Alessandro Maltese dhe Alessandro Donati, kanë pranuar se kanë plaçkitur vilën e Tamara Ecclestonet në dhjetorin e vitit 2019. Treshja italiane, gjithashtu, është dënuar për plaçkitjen e shtëpisë së ish-futbollistit anglez, Lampard, dhe ish-pronarit të klubit Leicester City. Të tre janë dënuar me 28 vjet burgim në total. Gjykata Mbretërore në Isleworth ka dënuar Jovanoviqin me nëntë vjet burgim për konspiracion të plaçkitjes dhe dy vjet të tjerë për shpëlarje parash.

“Është e qartë se Daniel Vukoviq i ka prirë planit. Banda ka lidhje me Italinë. Ata kanë miq të tjerë kriminelë në shtetet evropiane. Me shumë gjasë krejt gjësendet e vjedhura kanë qarkulluar nëpër Milano. Gjithashtu, mund të themi se gjësendet mund të jenë edhe në Serbi, shtet në të cilin është Daniel Vukoviqi”, ka thënë detektivi i Policisë Metropolitane, Andrew Payne.

“Ky është rast klasik i varrosjes së thesarit. Gjendet diku. Dikush e di se ku janë dhe dikur do të shfaqen”.

Marrë nga BBC, përktheu: Gent Mehmeti

Artikuj të ngjashëm