Botë

Senati amerikan miraton planet e Trumpit për shkurtimin e ndihmave ndërkombëtare

senati

Senati amerikan ka miratuar të enjten planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të shkurtuar financimet në ndihmat ndërkombëtare dhe ato të transmetuesve publik në vlerë prej 9 miliardë dollarësh, duke i siguruar atij një tjetër fitore të madhe në Kongresin e kontrolluar nga Republikanët.

Me 51 vota pro dhe 48 kundër, senatorët e mbështetën kërkesën e Trumpit për të shkurtuar shpenzimet prej 9 miliardë dollarësh, që ishin miratuar më herët nga Kongresi.

Shumica e shkurtimeve kanë të bëjnë me programet për ndihmat në vendet e huaja që vuajnë nga sëmundjet, lufta dhe fatkeqësitë natyrore, por plani gjithashtu eliminon 1.1 miliardë dollarë që “Korporata për Transmetimin Publik" duhej t’i përfitonte gjatë dy viteve të ardhshme.

Trumpi dhe shumë nga republikanët e tjerë kanë argumentuar se shpenzimet për transmetuesit publikë janë të panevojshme, teksa e kanë kritikuar mbulimin e lajmeve të tyre si të njëanshëm.

Pakot e pavarura të anulimeve nuk janë miratuar prej dekadash, me ligjvënësit që kanë ngurruar të heqin dorë nga kontrolli i tyre kushtetues mbi shpenzimet.

Mirëpo republikanët e Trumpit, të cilët mbajnë shumicë të ngushtë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, kanë treguar pak vullnet për t’i rezistuar politikave të tij që kur ai filloi mandatin e dytë në janar.

9 miliardë dollarët përfaqësojnë një shumë jashtëzakonisht të vogël kur krahasohen me buxhetin e përgjithshëm federal prej 6.8 trilionë dollarësh dhe janë vetëm një pjesë margjinale e të gjitha fondeve të miratuara nga Kongresi, që administrata Trump ka mbajtur pezull përderisa ka synuar shkurtime më të gjera, shumë prej të cilave të urdhëruara nga Departamenti për Efikasitetin Qeveritar (DOGE), i cili ishte udhëhequr prej miliarderit Elon Musk.