Dy trena të udhëtarëve janë përplasur mes vete në jug të Pakistanit, ndërsa kanë humbur jetën si pasojë së paku 35 persona dhe janë lënduar dhjetëra tjerë, raporton AP.
Autoritetet pakistaneze kanë thënë se njëri tren ishte duke udhëtuar për në provincën Sindh, por kishte përfunduar në një hekurudhë tjetër. Një tren i dytë me pasagjerë më pas është përplasur në të.
Ministri i hekurudhës Azam Swati ka konfirmuar për agjencinë AP se së paku 35 persona kanë vdekur e dhjetëra janë të lënduar.
Ekipet e shpëtimit kanë dërguar të lënduarit në spitalet në afërsi dhe besohet se një numër i tyre është në gjendje kritike.
Në Pakistan gjatë viteve të fundit kanë ndodhur një seri e aksidenteve fatale me trena.
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka thënë se është i shokuar nga aksidenti dhe ka premtuar hetim të plotë.