Gjykata ka vendosur se presidentit francez të viteve 2007-2012 do t’i lejohet që ta vuajë dënimin me burgim njëvjeçar në shtëpi, gjatë së cilës kohë duhet që të bartë një byzylyk elektronik monitorimi. Avokati i tij, Thierry Herzog, ka thënë se verdikti korrespondon me maksimumin, me të cilin përballej klienti i tij. Ai ka thënë se ka biseduar me Sarkozyin dhe se ai i ka kërkuar që ta apelojë vendimin
Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, i cili të enjten është dënuar me një vit arrest shtëpiak shkaku i financimit ilegal të fushatës në përpjekjen e tij të pasuksesshme për rizgjedhje më 2012, do të paraqesë ankesë ndaj vendimit të gjykatës, kanë bërë të ditur avokatët e tij.
Gjykata ka vendosur se Sarkozys do t’i lejohet që ta vuajë dënimin me burgim njëvjeçar në shtëpi, gjatë së cilës kohë duhet që të bartë një byzylyk elektronik monitorimi.
Avokati i tij, Thierry Herzog, ka bërë të ditur se vendimi korrespondon me maksimumin, me të cilin përballej klienti i tij. Ai ka thënë se ka biseduar me Sarkozyin dhe se ai i ka kërkuar që ta apelojë vendimin.
“Vendimi nuk do të jetë i zbatueshëm deri në Apel”, ka shtuar ai.
Sarkozy, i cili ka qenë president i Francës nga viti 2007 deri më 2012, ka hedhur poshtë fuqimisht akuzat gjatë procesit gjyqësor që zgjati nga maji deri në qershor.
Ai nuk ishte i pranishëm në Gjykatën e Parisit për shqiptimin e verdiktit. Ngarkohet për shpenzimin e pothuajse dyfishit të shumës maksimale ligjore prej 22.5 milionë eurosh gjatë fushatës për rizgjedhje, në garën që e kishte humbur kundruall socialistit, Francois Hollande.
Gjykata ka bërë të ditur se Sarkozy “ka qenë në dijeni” se kufizimi ligjor po kalohej dhe “vullnetarisht” ka dështuar që t’i mbikëqyrë shpenzimet shtesë. Verdikti i së enjtes është shqiptuar pasi Sarkozy (66) është shpallur fajtor më 1 mars për korrupsion dhe ushtrim ndikimi në një rast tjetër. Atij i është caktuar dënimi me një vit burgim dhe dy vjet me kusht në atë rast, por është ende i lirë, në pritje të apelit.
Është kjo hera e parë në historinë moderne të Francës, që një ish-president dënohet dhe i shqiptohet burgimi për veprimet gjatë mandatit të tij. Pararendësi i Sarkozys, Jacques Chirac, ishte shpallur fajtor më 2011 për keqpërdorim të parasë publike gjatë kohës sa ishte kryebashkiak i Parisit dhe ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht.
Në rastin e financave të fushatës, prokurorët kanë konstatuar se Sarkozy ka qenë në dije disa javë para zgjedhjeve të 2012-s se shpenzimet e tij – të cilat kufizohen në mënyrë strikte me ligj – po i përafroheshin maksimumit ligjor. Ata kanë akuzuar ish-presidentin për shpërfilljen e dy vërejtjeve nga kontabilistët e tij, të cilët e kishin paralajmëruar rreth parave.
Gjykata ka bërë të ditur të enjten se megjithëse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e kalimit të kufirit, ai ka zgjedhur të organizojë tubime të shumta elektorale, përfshirë edhe një masiv. “Këto tubime ishin miratuar nga Nicolas Sarkozy dhe ai ka nxjerrë përfitime prej tyre”, ka konstatuar gjykata.
Gjatë gjykimit, Sarkozy kishte deklaruar se paratë shtesë nuk kishin shkuar për fushatën e tij, por ka insistuar se ato kanë ndihmuar në pasurimin e personave të tjerë. Ai ka hedhur poshtë “synimin për mashtrim”. Njashtu ka insistuar se ai nuk i kishte menaxhuar organizimet ditore, ngase e kishte një ekip njerëzish të punësuar për këtë punë dhe kësisoj nuk mund të fajësohej për shumën e shpenzuar.
Përveç ish-presidentit, edhe 13 persona të tjerë janë nxjerrë për gjykim, përfshirë pjesëtarët e partisë së tij konservatore republikane, kontabilistët dhe shefat e grupit të komunikimit që ishin të angazhuar për organizimin e tubimeve. Ata të gjithë janë shpallur fajtorë dhe u janë shqiptuar masa ndëshkuese që nisin prej burgimit me kusht deri në dy vjet arrest shtëpiak me byzylyk elektronik. Sarkozy ishte pensionuar nga politika më 2017, por ende luan një rol të rëndësishëm prapa skenës. Mediat franceze kanë raportuar se ai është i përfshirë në procesin e zgjedhjes së një kandidati konservator, në prag të zgjedhjeve presidenciale të Francës, vitin e ardhshëm.