Ministrat e BE-së janë pajtuar unanimisht për sanksione të reja kundër Rusisë, ku do të shënjestrohen individë e entitete që kanë minuar integritetin e Ukrainës.
Këtë e ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
Borrell ka thënë se politikanët rusë do të shënjestrohen që kanë mbështetur njohjen e pavarësisë të dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës. Ndërsa po ashtu edhe bankat që financojnë vendimmarrësit rusë dhe operacionet në ato territore.
Aftësia e Rusisë dhe Qeverisë për të pasur qasje në tregjet kapitale e financiare të BE-së dhe shërbimet do të ndikohen.
Mirëpo, ai ka thënë se sanksionet do të jenë vetëm një pjesë e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Rusisë për të njohur Donetzkun e Luhanskun. Ai ka shtuar se do të goditen 351 anëtarët e Dumas ruse.
“Sot jemi pajtuar unanimisht për të reaguar ndaj veprimeve ilegale të Rusisë kundër Ukrainës. Pakoja e sanksioneve të BE-së do të godasë 351 anëtarët e Dumas ruse që votuan për njohje të ashtuquajturave LPR dhe DPR. Nuk ka më shoping në Milano, festa në St. Tropez, diamante në Antwerp. Ky është hapi i parë”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për sanksionet.
“Ne do të bëjmë sa më të vështirë që të jetë e mundur për Kremlinin që të vazhdojë me veprimet agresive të tij”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo ka shtuar se Gjermania ka pasur të drejtë që ka pezulluar certifikimin e projektit të gazjellësit Nord Stream 2.
“Kriza tregon se Evropa është ende tepër e varur në gazin rus, duhet të diversifikojmë furnizimin tonë”, ka thënë Von der Leyen.