William Ruto ka fituar zgjedhjet presidenciale në Keni, është njoftuar nga kryetari i Komisionit Zgjedhor të Kenisë, raporton BBC.
Ruto ka mposhtur ngushtë rivalin e tij Raila Odinga, duke marrë 50.4 për qind të votave.
Njoftimi është vonuar pas përleshjeve dhe akuzave për manipulim votash që bëri tabori i Odingas.
Katër nga shtatë anëtarët e komisionit zgjedhor refuzuan ta mbështesin njoftimin, duke thënë se rezultatet ishin të “errëta”.
“Ne nuk mund të marrim pronësinë e rezultatit që do të njoftohet për shkak të natyrës së errët të kësaj faze të fundit të zgjedhjeve të përgjithshme. Ne do të japim një deklaratë gjithëpërfshirëse dhe sërish i bëjmë thirrje kenianëve për qetësi. Ka një derë të hapur ku njerëzit mund të shkojnë në gjykatë dhe sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka thënë nënkryetarja e Komisionit të Pavarur Zgjedhor të Kenisë, Juliana Cherera.
Është hera e parë që ish-zëvendëspresidenti Ruto ka garuar për postin e presidentit.