Rusia ka kryer një sulm me dron për rreth tri orë e gjysmë në pjesët jugore të rajonit së Odesës në Ukrainë, në orët e para të së dielës, ka raportuar mediumi britanik TheGuardian.
Nga sulmet janë plagosur të paktën dy persona, e cak ishte edhe infrastruktura e lumit Danub, kanë konfirmuar autoritetet ukrainase. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës arritën t’i rrëzonin 22 nga 25 dronë të tipit “Shahed”, të prodhimit iranian.
Për rastin ka reaguar edhe komanda ushtarake jugore e Ukrainës, duke konfirmuar plagosjen e dy personave, derisa tha se nga sulmi një objekt u kaplua nga zjarri, por që u shua shpejt.
Danubi është bërë shtegu kryesor i Ukrainës për eksportimin e grurit, që nga prishja e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga OKB-ja, që i kishte lejuar Kievit t’i transportonte drithërat nëpërmjet Detit të Zi.
Pati raportime edhe për shpërthime në portin Reni, një nga dy portet kryesore në Danub.