Botë

Rusia raporton 27 viktima nga sulmi ukrainas

rusia

Autoritetet ruse kanë njoftuar të premten se numri i viktimave nga një sulm me dron, për të cilin fajësojnë Ukrainën, ka shkuar në 27 persona. Svetlana Petrenko, zëdhënëse e Komitetit Hetimor të Rusisë, deklaroi se një dron ukrainas goditi një kafene dhe një hotel në fshatin Khorly në rajonin e Khersonit, të pushtuar nga Rusia, raporton AP.

Aty ndodheshin të paktën 100 civilë që po festonin Vitin e Ri. Sipas saj, nga sulmi humbën jetën 27 persona, përfshirë dy të mitur. Gjithsej 31 persona, mes tyre pesë të mitur, u shtruan në spital, shkaku i lëndimeve.

Autoritetet ruse njoftuan se kanë nisur hetim penal për terrorizëm. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, Dmytro Lykhovii, mohoi sulmin ndaj civilëve.

Ai i tha transmetuesit publik ukrainas “Suspilne” se forcat ukrainase respektojnë normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe se kryejnë sulme vetëm kundër objektivave ushtarake ruse, objekteve të sektorit rus të karburanteve dhe energjisë, si dhe objektivave të tjera të ligjshme.