Botë

Rusia pezullon gazsjellësin Nord Stream 1 për një kohë të pacaktuar

Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka njoftuar të premten se gazsjellësi Nord Stream 1 nuk do të rifillojë të shtunën, duke përmendur dëmtimin e motorit të turbinës si shkak, shkruan BBC.

Në një deklaratë, kompania nuk dha një afat kohor për rifillimin e tubacionit, duke pretenduar se zbuloi një rrjedhje nafte në turbinën kryesore të gazit në stacionin Portovaya pranë Shën Petersburgut.

Kompania shtoi se turbina nuk mund të funksiononte në mënyrë të sigurt derisa të riparohej rrjedhja.

Kompania shtetërore thotë se defekti u zbulua me inspektimin e kryer së bashku me punëtorët nga Siemens - firma gjermane që ndihmon në mirëmbajtjen e tubacionit.

Gazprom pretendon se rregullimi i rrjedhjeve të naftës në motorët kryesorë është i mundur vetëm në punëtori të specializuara - për të cilat Rusia ka thënë më parë se ishin penguar nga sanksionet perëndimore.

Importi i gazit është ndalur derisa kjo të rregullohet, shtohet në deklaratë.

Evropa ka akuzuar më parë Rusinë për kufizimin e eksporteve të gazit si hakmarrje ndaj sanksioneve.

Nord Stream 1 vjen përmes Detit Baltik dhe furnizon me gaz Gjermaninë dhe disa shtete të tjera evropiane.