Rusia ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë përmes një tubacioni të madh, duke thënë se nevojiten riparime, shkroi BBC-ja të mërkurën.
Gjiganti shtetëror rus i energjisë, Gazprom, ka thënë se kufizimet në gazsjellësin “Nord Stream 1”, do të zgjasin për tri ditët e ardhshme.
Rusia tashmë ka reduktuar ndjeshëm eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit.
Ajo ka mohuar akuzat se ka përdorur furnizimet me energji si një armë lufte kundër vendeve perëndimore.
Tubacioni “Nord Stream 1” shtrihet 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në verilindje të Gjermanisë.
Ai u hap në vitin 2011 dhe mund të dërgojë më së shumti 170 milionë metra kub gaz në ditë nga Rusia në Gjermani.
Tubacioni u mbyll për 10 ditë në korrik - përsëri për riparime, sipas Rusisë - dhe kohët e fundit ka funksionuar me vetëm 20 për qind kapacitet për shkak të asaj që Rusia e përshkruan si pajisje me defekt.