Botë

Rusia pezullon eksportet e plehrave, masa do të godasë fermerët në mbarë botën

Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se "situata po përkeqësohet" për sa i përket tregjeve të plehrave, dhe se kjo situatë do të ndikojë në vazhdim të rritjes së çmimeve.

Paralajmërimi i Putinit vjen pasi ministri rus i Industrisë, Denis Manturov, ka thënë se Rusia ka vendosur të pezullojë përkohësisht eksportet e plehrave.

Ndërkohë, Putini ka paralajmëruar të enjten se nëse Perëndimi "krijon probleme" për Rusinë, atëherë do të ketë "pasoja negative të pashmangshme për tregjet botërore" dhe çmimet e ushqimeve mund të rriten më tej.

Ministria ruse e Industrisë dhe Tregtisë javën e kaluar ka rekomanduar pezullimin e eksportit të plehrave deri sa të rifillojnë shërbimet normale të transportit brenda dhe jashtë Rusisë.

Një lëvizje e tillë ka të ngjarë të ndikojë në rritje të çmimeve, duke dëmtuar potencialisht fermerët në mbarë botën.

Putini ka thënë se Rusia ka "marrëveshje" me vendet mike për plehrat, duke shtuar se ai nuk dëshiron të shohë rritje të çmimeve të ushqimit në vendin e tij.