Rusia ka nisur stërvitje të përbashkëta detare me Iranin dhe Kinën, në Gjirin e Omanit, ka raportuar të martën Ministria ruse e Mbrojtjes.
Anijet luftarake nga flota ruse e Paqësorit, përfshirë kryqëzorin me raketa Varyag dhe fregatën Marshal Shaposhnikov, po kryejnë stërvitjen detare "Rripi i Sigurisë Detare 2024" së bashku me marinat iraniane dhe kineze, thuhet në një deklaratë të ushtrisë, raportoi AP.
Në total, më shumë se 20 anije dhe varka nga Rusia, Irani e Kina, e po ashtu edhe helikopterë detarë janë të përfshirë në ushtrime.
Sipas njoftimit, qëllimi kryesor i stërvitjeve është përmirësimi i sigurisë së aktivitetit ekonomik detar.
Një flotë kineze ka arritur në ujërat afër qytetit iranian, Chabahar të hënën, për të marrë pjesë në stërvitjet pesë-ditore, duke u fokusuar në kundër-pirateri, kërkim dhe shpëtim, sipas një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kinës.
Irani e ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Pekinin dhe Moskën, në përgjigje të tensioneve rajonale me Shtetet e Bashkuara.
Vizitat në Iran nga përfaqësuesit detarë rusë dhe kinezë janë shtuar gjithashtu vitet e fundit.
Kjo është stërvitja e katërt që nga viti 2019, ndërmjet tri shteteve.
Stërvitjet po zhvillohen vetëm pak ditë pasi të njëjtën gjë e kanë bërë edhe shtetet e NATO-s, të cilat kanë kryer ushtrime të përbashkëta në ujërat e Norvegjisë.