Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia i kërkon botës të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për ulje të tensioneve në Zaporizhzhia

Kremlini i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të hënën që të ushtrojë presion ndaj Ukrainës për të ulur tensionin ushtarak në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, shkroi Reuters.

Rusia ka akuzuar Ukrainën se po e rrezikon gjithë Evropën.

“Të gjitha vendet janë të detyruara të ushtrojnë presion mbi Ukrainën në mënyrë që të ndalojë ekspozimin e kontinentit evropian ndaj rrezikut", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë të mbajtur të hënën.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka thënë se do të inspektojë centralin këtë javë dhe se një ekip i IAEA-s tashmë është nisur. Centrali është bërë fokus i shqetësimit ndërkombëtar pasi të dyja vendet e akuzojnë njëra-tjetrën për rrezikim të sigurisë.

Objekti drejtohet nga personeli ukrainas dhe është i lidhur me rrjetin elektrik të Ukrainës.

Forcat ruse morën kontrollin e këtij centrali në fillim të marsit, si pjesë e asaj që Moska e quan "operacion special ushtarak" në Ukrainë.

Edhe OKB-ja alarmon se siguria bërthamore e Zaporizhzhisë po përkeqësohet Botë OKB-ja alarmon se siguria bërthamore e Zaporizhzhisë po përkeqësohet

“Presioni ndaj palës ukrainase për të ndaluar bombardimet mund të zvogëlojë tensionin ushtarak”, tha Peskov.

Ai shtoi se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me IAEA-n. Ka pasur raportime se Rusia dëshiron ta lidhë me sistemin e saj energjetik rrymën që prodhon ky central, e që është mjaftueshëm për 20 për qind të nevojave të gjithë Ukrainës.