Rusia e ka shtuar Norvegjinë në listën e “vendeve jomiqësore” për gjoja shënjestrimin e diplomatëve rusë jashtë vendit, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet e saj me Perëndimin, shkruan AP.
Qeveria ruse publikoi urdhrin të enjten, i cili kufizon në 27 persona numrin e stafit që misioni diplomatik norvegjez mund të punësojë në Rusi.
Në prill, Norvegjia dëboi 15 diplomatë rusë pasi i akuzoi për kryerjen e aktiviteteve të inteligjencës nën mbulimin diplomatik. Rusia u hakmor duke dëbuar 10 diplomatë norvegjezë në atë që Norvegjia ka thënë se ishte “akt hakmarrjeje”.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka thënë se nuk ka marrë ende informacion zyrtar nga autoritetet ruse, por se nuk ka asnjë bazë për të thënë se Norvegjia është jomiqësore ndaj Rusisë.
“Situata e sotme është për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Rusia vetë mund të zgjedhë t'i japë fund luftës”, ka thënë ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt për mediat lokale.
Edhe
Norvegjia dëbon 15 diplomatë rusë
Huitfeldt shtoi se të dy kombet, të cilat ndajnë kufirin në Arktik, kanë interes në “funksionimin e marrëdhënieve diplomatike ... jo më pak në kohë të vështira”.
Shtetet e Bashkuara dhe Republika Çeke u shtuan në listën e vendeve jomiqësore të Rusisë në maj 2021, ndërsa Greqia, Danimarka, Sllovenia, Kroacia dhe Sllovakia u shtuan në korrik 2022. Pjesë e “vendeve jomiqësore” janë pothuajse të gjitha shtetet që i kanë vendosur sanksione Rusisë.