Rusia e ka fuqinë për t’ua treguar vendin armiqve, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Moska do të prishë "komplotin rusofobik" të Perëndimit për të copëtuar Rusinë, ka thënë të enjten një nga aleatët më të ngushtë të presidentit Vladimir Putin, raporton skynews.
Dmitry Medvedev, i cili shërbeu si president i Rusisë nga viti 2008 deri më 2012 dhe tani është zëvendëssekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se SHBA-ja ka ngjallur rusofobi "të neveritshme" në një përpjekje për ta detyruar Rusinë të ulet në gjunjë dhe më pas ta copëtonte atë.
"Nuk do të funksionojë - Rusia ka fuqinë t’ua tregojë vendin të gjithë armiqve tanë", tha Medvedev.
Rusia po vazhdon pushtimin e paprovokuar në Ukrainë, dhe është raportuar për qindra civilë të vrarë deri tash. Ka shkuar mbi 3 milionë numri i refugjatëve ukrainas të cilët janë larguar për shkak të luftës.