Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia do të rrisë mbrojtjen ajrore për të kundërshtuar anëtarësimin e Finlandës në NATO

Rusia planifikon të rrisë mbrojtjen ajrore për të kundërshtuar pranimin e Finlandës në NATO, ka thënë të hënën një komandant i forcave të saj të hapësirës ajrore, raporton Reuters.

Gjenerallejtënant Andrei Demin, zëvendëskomandanti i përgjithshëm i forcave të hapësirës ajrore, ka thënë gjithashtu se reformat e mëtejshme të mbrojtjes ajrore ruse ishin të planifikuara dhe do të zbatohen.

Në një intervistë të botuar të hënën me gazetën zyrtare të ministrisë së mbrojtjes Ylli i Kuq, Demini tha se qëllimi i ndryshimeve të ardhshme ishte "zhvillimi i forcave të armatosura, që synojnë përmirësimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të Federatës Ruse".

Rusia ndan një kufi 1,300 km (800 milje) me Finlandën, e cila iu bashkua NATO-s javën e kaluar – një vendim i nxitur nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022.

“Në këto kushte, forcat e mbrojtjes ajrore po përpunojnë çështjet e mbrojtjes së kufirit shtetëror në veriperëndim të vendit në përputhje me nivelin e rritur të kërcënimit”, tha Demini.