Rusia i ka vrarë qindra civilë në qytetin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, duke përdorur granatime pa dallim dhe bomba kasetore, thuhet në studimin e organizatës “Amnesty International”.
Organizata, përcjell BBC-ja të hënën, ka gjetur prova se forcat ruse përdorën “në mënyrë të përsëritur” bomba kasetore si dhe municione të tjera.
Pretendimet u faktuan nga BBC-ja, pas një vizite në Kharkiv, kur u panë provat e një sulmi kasetor.
Mbetjet e bombave kasetore u panë në disa sheshe lodrash në Kharkiv. Efekti i tyre thuhet se është i gjerë dhe shkatërrues.
Gruaja e Ivan Litvynyenkos, Oksana, u plagos rëndë nga një bombë e tillë dhe më vonë vdiq.
Edhe
Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, të paktën 13 të vrarë
Ai deklaroi se po ecnin nëpër shesh me vajzën e tyre pesëvjeçare, kur bombat plasën.
“Papritmas pash një shkëndijë dhe dëgjova shpërthimin e parë. Kapa vajzën dhe e shtyva në një pemë. Gruaja ime ishte rreth pesë metra larg kur bomba ra”, deklaroi ai.
Oksanas, bomba kasetore i depërtoi në shpinë, gjoks e bark, duke ia shpuar mushkëritë dhe shtyllën kurrizore.
“Mjekët e operuan disa herë, por nuk arriti të mbijetojë”, shtoi ai, vetëm disa orë pas vdekjes së bashkëshortes.
Litvynyenko tha se pa edhe një seri shpërthimesh të bombave.
Tetiana Ahayeva, një infermiere 53-vjeçare, po qëndronte para ndërtesës, kur bombat ranë.
“Kishte një zhurmë të papritur. Ne ramë në tokë dhe u përpoqëm të mbuloheshim. Djali i fqinjit tonë, një 16-vjeçar, vdiq në vend. Kishte një vrimë 1-centimetërshe në gjoks. Babai i tij kishte një ijë të thyer dhe një plagë në këmbë”, rrëfeu ajo.
Edhe
Rusia godet Ukrainën me dronë dhe raketa, vret të paktën shtatë persona në Kharkiv
120 shtete janë pajtuar nëpërmjet një traktati ndërkombëtar të mos i përdorin bombat kasetore. Në mesin e këtyre vendeve nuk bënë pjesë Rusia e as Ukraina.
Bombat kasetore shpërthejnë në ajër dhe lëshojnë një grup bombash të vogla, që shpërndahen në hapësirë të gjerë.