Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusëve azilkërkues u ndalohet hyrja në SHBA nga Meksika

Më shumë se 30 azilkërkuesve nga Rusia u është pamundësuar hyrja në Shtetet e Bashkuara, duke reflektuar ndryshim në trajtimin e rusëve dhe ukrainasve.

34 rusë për ditët të tëra kanë pritur në pikën kufitare mes Meksikës dhe SHBA-së pasi autoritetet meksikane u kërkuan largimin e menjëhershëm nga shteti i tyre. Pak ditë më parë, disa rusëve u është lejuar hyrja në SHBA nga një pikë tjetër kufitare, ndërkaq dhjetëra ukrainasve u është pamundësuar hyrja.

Mirëpo, të premten, rusëve u është mohuar hyrja, ndërkaq disa ukrainas nuk kanë pritur shumë për të shkelur në tokën amerikane. Këtë veprim të autoriteteve amerikane, rusët e shqetësuar e kanë cilësuar si të padrejtë. Kanë thënë se SHBA-ja gjithmonë ka pranuar refugjatët.

Edhe para se të niste lufta në Ukrainë, autoritetet kufitare të SHBA-së kanë raportuar për një fluks të madh të rusëve që kërkojnë azil. Mirëpo, tani situata ka ndryshuar dhe SHBA-ja ka nisur të pranojë më shumë ukrainas.