Më shumë se 8600 rusë kanë kërkuar në kufirin e Meksikës statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëntë në dhjetë e kanë shtruar kërkesën zyrtare në pikëkalimet kufitare në San Diego.
Shumë prej tyre kanë fluturuar nga Moska për në Kankun, duke hyrë si turistë në Meksikë për të vazhduar pastaj drejt Tihuanës.
Për të marrë të drejtën e aplikimit, ata shkelin në tokën amerikane para se të kryhen kontrollet kufitare. Maksim Derzhko ka thënë se shmangia e kontrollit është një prej përvojave më të tmerrshme të jetës së tij.
Kundërshtar i kahershëm i presidentit Vladimir Putin, ai u largua nga Vladivostoku drejt kufirit meksikan bashkë me të bijën, 14-vjeçare, dhe kaluan me shtatë rusë të tjerë në një makinë të vetme.
Thotë se zyrtarët kufitarë të SHBA-së u kanë thënë se kanë pak mundësi që të marrin përgjigje pozitive. Derzhko thotë se kufitarët amerikanë i kanë kërkuar falje pse e kishin prangosur.
Nga janari deri në gusht, pothuajse nëntë mijë amerikanë kanë kërkuar azil në pikat kufitare ndërmjet Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Shtetasit e ish-republikave të tjera sovjetike përbëjnë numër më të ulët të atyre që kërkojnë qëndrim legal në Shtetet e Bashkuara.