Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusët ia vranë prindërit, pastaj u zhduk edhe vetë Arina

Arina Yatsiuk nuk është parë që nga 3 marsi i vitit të kaluar

Ushtarët filluan të qëllonin dhe më pas tërhoqën Arinën dhe motrën e saj 9-vjeçare Valeria nga sedilja e pasme. Arina u plagos dhe u fut në një makinë; Valeria u fut në një tjetër. Valeria u dërgua në një fshat aty pranë, ku vendasit e gjetën atë duke qëndruar pranë rrugës. Denys dhe Anna, prindërit e vajzave, u zbuluan të vrarë me armë zjarri në makinën e tyre. Por, 3 marsi 2022 ishte hera e fundit që dikush e pa Arinën

Një javë pasi Rusia pushtoi, familja e 15-vjeçares Arina Yatsiuk vendosi të largohej nga shtëpia e tyre pranë kryeqytetit ukrainas me makinë. Më pak se 15 kilometra poshtë rrugës ata u ndeshën me një grup trupash ruse.

Ushtarët filluan të qëllonin dhe më pas tërhoqën Arinën dhe motrën e saj 9-vjeçare Valeria nga sedilja e pasme. Arina u plagos dhe u fut në një makinë; Valeria u fut në një tjetër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Valeria u dërgua në një fshat aty pranë, ku vendasit e gjetën atë duke qëndruar pranë rrugës. Denys dhe Anna, prindërit e vajzave, u zbuluan të vrarë me armë zjarri në makinën e tyre.

3 marsi i zi

Por, 3 marsi 2022 ishte hera e fundit që dikush e pa Arinën. Ajo është një nga 345 fëmijët ukrainas që janë zhdukur qëkur Rusia nisi luftën e saj në shkallë të gjerë kundër Ukrainës shkurtin e kaluar, sipas statistikave zyrtare të Ukrainës.

Qeveria ukrainase thotë se shumë nga fëmijët e zhdukur janë dërguar me forcë në Rusi. Qeveria ruse nuk e mohon marrjen e fëmijëve ukrainas – në fakt, ajo thotë se po “i shpëton” ata.

Tezja e Arinës, Oksana Yatsiuk, tha për CNN-in se familja ka qenë në kërkim të vajzës me sy të kafenjtë qëkur ajo u zhduk. Arina është e mirë në vizatim dhe i pëlqente grimi dhe udhëtimet, tha tezja e saj. “Ajo kishte ëndrra të mëdha, por ‘çlirimtarët rusë’ vendosën gjithçka për të. Kur ta gjejmë do të vazhdojmë me planet e saj”, tha ajo.

Familja tha se ata besojnë se vajza, e cila tani është 16 vjeçe, është ende gjallë dhe "e mbajtur rob" në Rusi. “U dërgova letra zyrtare të gjitha objekteve mjekësore, Ministrisë së Shëndetësisë në Rusi, Bjellorusi dhe Ukrainë dhe përgjigjja zyrtare që mora është se ajo nuk është regjistruar askund”, tha Yatsiuk për CNN-in në një intervistë telefonike.

Yatsiuk, e cila është me bazë në Poloni, tha se beson se Arina nuk kishte dokumente personale kur u zhduk, kjo është ndoshta arsyeja pse ajo nuk është regjistruar askund zyrtarisht. “Kam marrë një përgjigje zyrtare se Arina nuk është regjistruar duke kaluar kufirin”, tha ajo.

Familja ka përdorur grupe të mediave sociale, ka kontaktuar grupet e njerëzve të zhvendosur dhe ka punuar me vullnetarë në Rusi dhe Bjellorusi. Yatsiuk tha se ADN-ja e Arinës gjithashtu kontrollohet rregullisht në regjistrat kombëtarë. “Ajo nuk është në listat zyrtare të të vdekurve”, tha ajo.

Një vullnetar rus që po ndihmon kërkimin tha se ata besojnë se Arina u dërgua në një institucion mjekësor në Rusi dhe që atëherë ka qëndruar në vend. Vullnetari, i cili foli për CNN-in në kushte anonimiteti sepse përfshirja e tyre në kërkim mund të kërcënonte sigurinë e tyre, tha se nuk ka pasur të dhëna të reja për rastin që nga vjeshta.

Dëshmitare e krimeve të luftës

Zhdukja e Arinës ende e ndjek Marina Lypovetskan, kreun e projekteve në Magnolia, një OJQ ukrainase e specializuar në rastet e fëmijëve të humbur. “Ajo është dëshmitare e krimit të luftës. Nëse motra e saj e vogël nuk e kuptoi që prindërit e saj ishin vrarë, supozoj se ajo e kuptoi, ajo vetë ishte plagosur dhe është gjithashtu viktimë e një krimi lufte", tha Lypovetska për CNN-in në një intervistë në zyrën e Magnolias në Kiev.

Magnolia ka marrë më shumë se 2.600 kërkesa nga familjet dhe miqtë e fëmijëve të humbur që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022, më shumë se numri i përgjithshëm i thirrjeve që mori gjatë 20 viteve të mëparshme.

18 punonjësit e saj punojnë gjatë gjithë kohës. Ata janë në kontakt me familjet e fëmijëve të zhdukur, duke ofruar ndihmë psikologjike dhe ligjore. Grupi po kryen gjithashtu kërkimet e veta duke përdorur teknika të inteligjencës me burim të hapur, thirrje publike dhe kërkime në media sociale për të mbledhur informacion.

Shumica e telefonatave që vijnë kanë të bëjnë me fëmijë nga territoret e okupuara të Ukrainës ose zonat e goditura nga luftimet e ashpra.

"Para luftës, shumica e rasteve ishin të arratisur, por tani, shumica janë të lidhura drejtpërdrejt me veprimet ushtarake", tha Lypovetska, duke shtuar se në ditët e para të luftës, shumica e thirrjeve ishin nga familje të dëshpëruara që kishin humbur kontaktet me të dashurit në zonat e pushtuara.

Por disa javë pas konfliktit, Magnolia filloi të merrte më shumë telefonata për fëmijë që ishin ndarë nga familjet e tyre gjatë sulmeve ose u zhdukën gjatë evakuimeve, tha ajo.

Dhe shpejt u bë e qartë se disa nga këta fëmijë ishin dërguar në Rusi.

Image
Punonjësit e Magnolias, një OJQ ukrainase e specializuar në rastet e fëmijëve të humbur, kërkojnë t'i bashkojnë ata me familjet e tyre.

Publiku mburret

Sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, duke përfshirë Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dëbimi i një popullsie civile konsiderohet krim lufte dhe transferimi i dhunshëm i fëmijëve të një grupi në një grup tjetër përbën gjenocid.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët ka bërë të ditur në janar se veprimet e Rusisë po shkelnin parimet themelore të mbrojtjes së fëmijëve. Por Rusia ka qenë e hapur për veprimet e saj.

Gjatë vitit të kaluar, shumë zyrtarë rusë janë mburrur publikisht për sjelljen e fëmijëve ukrainas në vend. Sipas deklaratave të tyre, qindra fëmijë nga zonat e pushtuara janë dëbuar në vende të largëta në Rusi, ku disa janë birësuar menjëherë nga familjet vendase dhe kanë marrë nënshtetësinë.

Një grup i vogël fëmijësh të përshkruar nga zyrtarët si të shpëtuar nga Donbasi u parakalua para dhjetëra mijëra njerëzve gjatë një mitingu në Moskë muajin e kaluar. Fëmijët u inkurajuan të përqafonin një burrë me uniformë, të cilin njëra nga vajzat e quajti “xhaxha Yuri”, i cili i “shpëtoi” nga Mariupol.

CNN ka kërkuar nga Zyra e komisioneres ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për koment mbi akuzat. Ajo mori një konfirmim të përgjithshëm të marrjes, por asnjë përgjigje.

Zyrtarët rusë dhe separatistët prorusë filluan deportimin e fëmijëve ukrainas përtej kufirit në Rusi, disa ditë përpara se Moska të niste sulmin e saj ndaj Ukrainës. Udhëheqësit e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut (DPR dhe LPR) në Ukrainën lindore, të mbështetur nga Rusia, urdhëruan evakuime masive të civilëve në Rusi më 18 shkurt.

Sipas zyrtarëve rusë, evakuimi përfshinte fëmijë që jetonin në jetimore dhe shkolla me konvikt në dy zonat e kontrolluara nga separatistët.

Përktheu: Forca Jashari