Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritet çmimi i grurit, pritet edhe shtrenjtimi i bukës

Foto: Driton Paçarada / Koha

Çmimi i grurit shtrenjtohet. Arsyeja është rendimentit i dobët si në Maqedoni ashtu edhe në suaza botërore. Tash për tash buka nuk do të shtrenjtohet sepse industria e furrave të bukës i përdorin rezervat e grurit të blera me çmim më të ulët.

Por, nga Grupi i mullisëve pranë odës ekonomike të Maqedonisë thonë nëse vjen momenti që buka të bëhet me grurë të importuar, ka mundësi që të shtrenjtohet çmimi i bukës.

Maqedonia është një ekonomi tregtare dhe ne funksionojmë sipas tregut, rritja automatike e çmimit të grurit do të thotë edhe rritje e çmimit të miellit, dhe realisht ka mundësi që të rritet edhe çmimi i bukës.

“Por, në një kohë të ardhshme. Deri tani ka një rritje të çmimit të grurit prej 12% krahasuar me vitin e kaluar, por çmimi i bukës mbetet i njëjtë, kjo është për shkak të rezervave që i kanë tregtarët dhe prodhuesit”, deklaroi Goran Milishiq, kryetar i Grupit të mullisëve, raporton “Alsat-m”.

Nga Ministria e Bujqësisë shprehen se çmimi nuk do të shtrenjtohet. “Sipas analizave të deritanishme, nuk pritet destabilizimi i tregut të grurit e as shtrenjtim i prodhimeve të frutarisë. Ministria e Bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomizimit të ujërave me vëmendje ndjek situatën në terren dhe nuk do të lejojë rrezikim të prodhimtarisë vendore të grurit”, thanë nga Ministria e Bujqësisë.

Megjithatë, të dhënat thonë se këtë vit rendimenti i grurit në shtet është më i vogël për 38% krahasuar me vitin e kaluar. Nga prodhimtaria vendore do të sigurohen 196.000 ton grurë, ndërsa nevojat vjetore të Maqedonisë janë rreth 300.000 ton. Mungesën pritet ta sigurojnë përmes importit të grurit dhe miellit.

Artikuj të ngjashëm