Çmimi i miellit dhe si rrjedhojë bukës, do të shtrenjtohet në rast se merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka paralajmëruar Shoqata e Mullisëve të Kosovës.
Kjo shoqatë ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në vend. Ata kanë kërkuar që të mos shtrenjtohet çmimi i rrymës për mullitë e bluarjes së grurit.
Drejtori ekzekutiv i shoqatës, Muhamet Farizi, i tha KOHËS se çmimi i grurit është shtrenjtuar në vlerë minimale në Kosovë pa u diskutuar shtrenjtimi i çmimit të rrymës, dhe është më i ulëti në rajon. Ai shtoi se edhe konkurrenca e furrave të bukës, ka bërë që ato të punojnë me fitime minimale.
Farizi tha se me kërkesën drejtuar ZRRE-së, synim ka qenë që “mullive të bluarjes së grurit në Kosovë të mos u shtrenjtohet çmimi I energjisë elektrike”.
Nëse shtrenjtohet çmimi i rrymës, tha ai, “atëherë do shtrenjtohet edhe çmimi i grurit dhe sigurisht bukës”.