Përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve kanë paralajmëruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim edhe në shtrenjtimin e bukës. Këtë paralajmërim, kryesuesi i Shoqatës, Bashkim Zejnullahu, e ka ndërlidhur me faktin se shumica e furrave e përdorin rrymën për prodhim. E përfaqësues të konsumatorëve kanë shprehur vërejtjen se bizneset e shfrytëzojnë çdo rast për t’i rritur çmimet e produkteve
Në rast të ngritjes së paralajmëruar të çmimit për energjinë elektrike të konsumuar nga 1 prilli, në Shoqatën e Mullisëve e kanë ngritur mundësinë edhe për shtrenjtimin e çmimit të bukës.
Kryetari i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu, ka thënë se rritja e çmimit të bukës ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë të energjisë elektrike, pasi shumica e furrave e shfrytëzojnë rrymën për prodhimtari.
“Vetë përpunimi i grurit dhe përpunimi final i bukës ka si bazë energjinë elektrike. Pjesëmarrja e energjisë elektrike në përpunim është në përqindje shumë të madhe, që do të ndikonte drejtpërdrejt në koston e bukës”, ka theksuar Zejnullahu.
Por ekonomisti Fidan Qerimi e ka kualifikuar si të paarsyeshëm paralajmërimin për ngritjen e çmimit të bukës, teksa ka theksuar se kjo do të prodhonte rëndesë shtesë për ekonomitë familjare.
“Për ndryshimin e çmimit të bukës mendoj që është jashtëzakonisht jo i arsyeshëm, sepse kur kemi parasysh që në prodhim të bukës energjia elektrike nuk është një faktor shumë kyç në prodhimtari... Mendoj se është një barrë jashtëzakonisht e rëndë për të gjitha familjet kosovare, duke pasur parasysh që të ardhurat e tyre janë në nivele jo të kënaqshme”, ka theksuar ai.
Edhe
Inflacioni në maj rritet për 6.8 për qind
Shqetësim për këtë kanë shprehur edhe qytetarë në Prishtinë.
“Tash për tash është i lartë, ama edhe nëse ngrihet përsëri, prapë do të jetë për ne shumë keq. Shumë, sepse nuk do të mund ta përballojmë këtë ngritje, herë të rrymës e herë të gjërave të tjera”, ka theksuar qytetarja Zyrije Ahmeti.
Me këtë qëndrim është pajtuar edhe Jusuf Gashi.
“Ky çmim i bukës është i përballueshëm edhe tash për tash, e nëse ngrihet prapë, për besë do t’i dëmtojë shumë familje”, është shprehur ai.
E drejtuesi i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka shprehur vërejtjen se bizneset mezi presin të shfrytëzojnë rast për t’i ngritur çmimet e produkteve.
“Kjo deklaratë nuk është e çuditshme, as e befasishme. Është diçka që ndodh jo vetëm me furrtarët, por me të gjitha bizneset. Sepse kur një artikull, një shërbim a produkt merr ngritje çmimi, reagimi i tyre është i menjëhershëm. Por, kur ai çmim kthehet mbrapsht, asnjëri nga ta nuk reagon”, ka theksuar ai.
Edhe
Morina: Rritja e çmimit të rrymës çoi në shtrenjtimin e ujit deri në 42%
Kaçaniku ka paralajmëruar po ashtu se rritja e çmimit të energjisë elektrike, krahas në atë të bukës, do të ketë ndikim edhe në shtrenjtimin e produkteve të tjera.
Në Shoqatën e Mullisëve e patën shtrenjtuar çmimin e bukës edhe në vitin 2022. Asokohe, çmimi për një bukë u rrit nga 0.40 në 0.50 euro, e në disa qytete edhe në 0.60 euro. Kjo pati prodhuar reagime të shumta nga qytetarët. E për ngritjen e çmimeve, furrtarët asokohe u patën arsyetuar me rritjen e çmimit të miellit, si pasojë e luftës në Ukrainë.