Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, ka thënë se ngritja globale e çmimeve të derivateve të naftës në dy javët e fundit nuk ka ndikuar në ngritjen e çmimit të miellit në Kosovë pasi siç ka thënë, çmimi i grurit në tregjet globale ka nisur qysh në muajin shtator.
Zejnullahu ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se mullistët në Kosovë janë munduar ta mbajnë çmimin ekzistues të miellit, duke shfrytëzuar rezervat nga sezoni i kaluar i mbjelljes.
Sipas tij, në ngritjen e çmimeve të miellit ka ndikuar edhe kostoja e plehrave artificiale, të domosdoshme për mbjelljen e grurit, të cilat siç ka thënë, janë dy fish më shtrenjtë tani.
“Derivatet kanë filluar të ngriten në dy javorin e fundit. Kurse çmimi i grurit ka nisur të pësojë një ngritje të lehtë në fillim të muajit shtator. Unë sot isha në kontakt me disa miq në Shqipëri dhe Maqedoni, në Shqipëri aktualisht çmimi i miellit është 20-25% më i lartë se në Kosovë, ndërkaq Maqedonia është në një nivel të barabartë me ne. Me grurin që kishim nga sezona e kaluar e këtij viti, jemi munduar ta mbajmë çmimin siç ishte deri tani. Nuk është për tu shqetësuar sepse nuk është diçka e re, rritja e çmimit të bukës”, ka thënë Zejnullahu.
Duke folur për nivelin e rendimentit të grurit sivjet, Zejnullahu ka thënë se nuk janë të kënaqur për shkak të thatësisë dhe dëmtimeve nga breshri.
Edhe
Paralajmërohet ngritje "e lehtë" e çmimit të miellit
“Sivjet rendimenti ka qenë i pakënaqshëm për shkak të thatësisë, pastaj edhe dëmtimet e breshrit. Ne mullistët nuk kemi pranuar kurrë më tepër se 150 mijë ton në vit grurë. Shumë herë kemi abuzuar, dikush ka abuzuar me këto numra. Prodhojmë aktualisht, jo më tepërt se 130-150 mijë ton në vit. Ne arrijmë të përmbushim 50-60% të nevojës së tregut të brendshëm”, ka thënë Zejnullahu.
Ai ka thënë se nëse nuk ndërmerret diçka shumë shpejtë, niveli i prodhimit të grurit në Kosovë do të bjerë ndër vite, dhe Kosova çdo herë e më shumë do të varet nga importi.