I ashtuquajturi “Shtegu Ballkanik” është mbërthyer përsëri nga përherë e më shumë emigrantë që mësyjnë Bashkimin Evropian. Bashkë me këtë rritet edhe mundësia që ata të përfundojnë në fusha të minuara, të cilat janë një trashëgimi e zymtë e luftërave në ish-Jugosllavi
Hapja e pikave kufitare në vendet e Evropës Juglindore këtë verë, pas disa muajsh mbylljeje shkaku i pandemisë, është bërë sebep për rritjen e numrit të emigrantëve në të ashtuquajturin “Shtegu Ballkanik”.
Për dallim prej vitit 2015, Hungaria nuk është më vendi nëpërmjet të cilit njerëzit nga vendet e përshkuara nga luftërat dhe krizat mundohen që të depërtojnë në Bashkimin Evropian. Sot, përherë e më shumë njerëz mundohen që me anë të Kroacisë të shkelin jugun e kamur dhe perëndimin e Evropës.
Të dhënat e tilla, sipas raportimit të agjencisë gjermane “Deutsche Welle”, i ka publikuar Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve, Frontex, në raportin vjetor për 2020-n.
Sipas raportit të Frontexit, nga mbi 635 mijë emigrantët, numri më i madh i atyre që e rrahin shtegun e Ballkanit Perëndimor është ai i personave të ikur nga Siria, ndërsa listën e pasojnë vatrat e tjera të konflikteve dhe jostabilitetit, si Afganistani dhe Iraku.
Rritja aktuale e numrit të emigrantëve është rezultat i bllokadës mbarëbotërore të vitit të shkuar, për shkak të së cilës janë ashpërsuar kontrollet dhe kalimet kufitare më 2020, thuhet në raport.
Edhe
Të sulmuar e të grabitur: Refugjatët rrëfejnë për abuzimet në kufirin Bosnjë - Kroaci

Rreziku nga minat
Një numër i madh syresh tentojnë që me rrugën më të shkurtër të mundshme të shkelin në territorin e BE-së, ngase druajnë se, për shkak të numrit në rritje të të porsainfektuarve me koronavirus, vjeshtës do të ketë prapë kontrollime më të ashpra, ka shkuar “Deutsche Welle”.
“Nuk dihet saktë se sa njerëz aktualisht kalojnë ilegalisht lumin Drin në Serbi dhe kalojnë në Bosnjë-Hercegovinë. Autoritetet serbe nisen prej faktit se në territorin e Serbisë aktualisht ndodhen rreth 5 mijë imigrantë. Ajo që është e sigurt është se këta njerëz janë rrugës drejt Kroacisë, në fakt kufirit të jashtëm të BE-së nëpërmjet territoreve në të cilat ende ka një numër të madh minash tokësore të ngelura nga luftërat në ish-Jugosllavi (kryesisht nga vitet 1991-95).
Qendra për Çminim në Bosnjë-Hercegovinë (BHMac) është përgjegjëse për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me minat dhe heqjen e tyre: nisur nga evidentimi i bazës së të dhënave nëpërmjet përcaktimit të territoreve të rrezikshme, organizimit të heqjes, e krejt deri te ndarja e certifikatave për ata që përcaktojnë se ndonjë territor është pastruar prej minave.
“Falë Zotit te ne deri më tani nuk ka pasur viktima”, thotë për DW-në Svetlana Lulexhija, zëdhënëse e BHMac. Organizata e saj, e cila është e certifikuar nga Ministria e Çështjeve Civile në Bosnjë-Hercegovinë, është njoftuar vjeshtën e shkuar se në afërsi të qytetit Tuzlla ndodhen një numër i madh emigrantësh që më herët, falë nivelit të ulët të ujit, kishin arritur që ta kalonin lumin Drin.
“Përreth Tuzllës, gjatë luftës janë zhvilluar luftime të ashpra, prandaj dhe ka kaq shumë mina”, ka shpjeguar Lulexhija. “Ndonëse policia po bën çmos, ajo shpesh nuk arrin që të vihet në kontakt me njerëzit. Nga frika prej policisë, ata të shpeshtën e rasteve lëvizin natën dhe jashtë zonave të banuara, e pikërisht aty minat janë më të rrezikshme”, ka tërhequr ajo vërejtjen, duke folur për agjencinë gjermane.
180 mijë mina të pashpërthyera
Përveç disa fushave të pakta me mina të mbetura që nga Lufta e Dytë Botërore, mjetet tokësore shpërthyese të shumtën e rasteve datojnë nga koha e luftës në Bosnjë-Hercegovinë gjatë viteve 1992-95. Janë vendosur nga palët ndërluftuese të asaj kohe.
“Nisemi prej faktit se në Bosnjë ende ka rreth 180 mijë mina të pashpërthyera”, thotë Lulexhija. “Nga viti 1996 janë gjetur dhe janë hequr më shumë se 136 mijë mina. Ato ndodhen në 118 prej gjithsej 145 qarqet”.
Që nga përfundimi i luftës në Bosnjë, nga eksplodimi i minave janë lënduar 1.765 persona, 617 kanë vdekur, shton zëdhënësja e BHMax. Duke qenë se BHMacu vazhdimisht vendos paralajmërime për fusha të minuara, viteve të fundi kanë ndodhur përherë e më rrallë fatkeqësitë e mëdha.
“Gjatë dy vjetëve të fundit asnjë person nuk është lënduar apo ka mbetur i vdekur nga minat”, thekson zëdhënësja.
Ajo specifikon se janë shënjuar të gjitha territoret, në të cilat janë vendosur minat.
“Shenjat përkatëse të paralajmërimit janë vendosur ngado përgjatë shtigjeve, nëpër vende të dukshme. Por, siç kam thënë, emigrantët kryesisht lëvizin natës dhe mund të ndodhë fare lehtë që, pa e vërejtur fare, ata të futen në territore të minuara”.
Sanela Lepirica është koordinatore terreni e Kryqit të Kuq në Kluç të Bosnjës perëndimore.
Edhe
Dhunë ndaj refugjatëve në Kroaci, BE-ja mbyll sytë
Ajo thotë për “Deutsche Wellen” se në këtë qytet policia vazhdimisht i ndalon autobusët dhe nxjerrë prej tyre emigrantë që udhëtojnë drejt Evropës. Pas kësaj, ata thotë se u dorëzohen ekipeve të saj.
“Në mandej kujdesemi për këta njerëz, u japim ushqim dhe pije, i informojmë për rreziqet nga minat dhe ata mandej shkojnë tutje drejt Bihaçit dhe në Kladushën e Madhe, kah kufiri me Kroacinë”, ka thënë ajo për mediumin gjerman.
Ekipi i Lepiricës në Kryqin e Kuq është i stacionuar fiks në kufirin e entitetit, i cili ishte vijë fronti gjatë luftës në Bosnjë.
“Edhe këtu e edhe në rrugën drejt kufirit kroat shtrihen mina, ngase aty zhvilloheshin luftime të ashpra”, ka shpjeguar ajo. “Ky shteg pra është shumë i rrezikshëm. Nëse na thonë se duan që të shkojnë përmes pyllit, ne i paralajmërojmë. Porse pavarësisht kësaj, vazhdimisht dëgjojmë për fatkeqësi, sikurse në rastin e pranverës së shkuar, kur një grup afganësh kishte rënë në fusha të minuara në anën kroate të kufirit”.
Ministria e Brendshme në Zagreb kishte njoftuar se me këtë rast ka shpërthyer një minë. Ka vdekur një burrë, ndërsa katër të tjerë janë lënduar, disa rëndë. Të nesërmen, ekipi i shpëtimit i Qendrës kroate për heqjen e minave ka arritur që t’i nxjerrë nëntë persona nga fusha e minuar, në të cilën kishin ikur pas shpërthimit, pa e ditur se në çfarë rreziku ndodheshin.

Territore vështirë të arritshme
“Vetëm pas luftës kemi arritur të kuptojnë se janë minuar edhe territore kodrinore, vështirë të depërtueshme dhe të rrethuara me përroska e lumenj”, thotë për DW-në Niksha Bogdaniq, drejt i Qendrës kroate për Çminim.
“Menjëherë pas çlirimit të territoreve të okupuara nga formacionet paramilitare serbe, së pari jemi përkujdesur për zonat e banuara dhe rajonet bujqësore. Për ta bërë një gjë të tillë na është dashur që ta rindërtojmë gjithë infrastrukturën: rrugët, rrjetet elektrike... Këto ishin më të rëndësishmet, ashtu që njerëzve t’u mundësohej kthimi në fshatrat dhe shtëpitë e tyre”, ka thënë ai.
Më vonë, Qendra kroate për Çminim ka angazhuar forcat jomiqësore ushtarake, të cilat i drejtuan ekipet për heqjen e minave në rajonet përkatëse në mënyrë që të identifikohen fushat e minuara. Në ndërkohë, sipas raportimit të DW-së, janë evidentuar të gjithat ndërsa Qendra vazhdimisht verifikon nëse në këto territore qëndrojnë ende shenjat e vendosura paralajmëruese.
“Deri më 2026 synojmë që t’i pastrojmë në tërësi zonat kufitare”, thotë Bogdaniq.
Deri atëherë, të gjitha informatat lidhur me çështjen e minave janë tërësisht të qasshme. Qendra kroate qysh nga viti 2009 i ka të postuara të dhënat në ueb faqen e vet.
Aty figurojnë të gjitha hartat e disponueshme, në mënyrë që çdokush të mund të ketë qasje në to.
“Nëse ueb faqja ndonjëherë nuk është e qasshme, arsyeja për këtë është serveri, i cili është dëmtuar nga tërmeti i janarit të këtij viti”, shton Bogdaniq.
Qendra për Çminim në Bosnjë-Hercegovinë ka përgatitur edhe aplikacionin “BH Mine Suspected Areas”. Në të janë përfshirë të gjitha fushat e minuara në vend, bazuar në “Open Street Maps”.
Edhe
Migrantët vendosin tenda në Serbi në pritje për të hyrë në shtetet e BE-së
Aplikacioni funksionon ngjashëm sikurse harta e Googles apo ajo e Iphones dhe mund të shkarkohet pa pagesë në që të dy sistemet operuese të telefonave celularë.
Përktheu: Nita Lleshi