Botë

Rreth 900 ukrainas kanë hyrë në Brazil brenda pesë ditësh

Rreth 900 refugjatë ukrainas që kanë ikur nga pushtimi rus kanë hyrë në Brazil që nga 17 marsi, ka bërë të ditur të martën Policia Federale e Brazilit, raportoi CNN-i.

Nga ta, 28 persona kanë aplikuar deri më tani për të qëndruar në këtë shtet.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv më 3 mars që lejon qytetarët ukrainas të qëndrojnë në Brazil deri në 90 ditë pa vizë, më pas duhet të pajisen me "vizën humanitare 180-ditore". Më pas, ukrainasit mund të aplikojnë për viza afatgjata braziliane.

Që nga fillimi i pushtimit, Bolsonaro ka shmangur dënimin ose sanksionimin e Rusisë.

Pavarësisht kësaj, Brazili votoi në favor të një rezolute që dënonte agresionin e Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 2 mars.