Botë

Ish-presidenti brazilian kërkon vizë gjashtë-mujore në SHBA

Foto: Reuters

Ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, po kërkon një vizë gjashtë-mujore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka konfirmuar për CNN-in firma ligjore që e përfaqëson Bolsonaron.

Kërkesa për vizë është bërë më 27 janar, në kohën kur po raportohet se ai tashmë ndodhet në SHBA me vizën A-1, e cila u lëshohet krerëve të shtetit, dhe është e vlefshme vetëm gjatë kohës sa ata janë në pozita zyrtare.

Departamenti amerikan i Shtetit ka refuzuar të konfirmojë statusin e vizës së Bolsonaros, për shkak të konfidencialietit.

Bolsonaro ka qenë në Florida që nga 30 dhjetori, duke e lënë Brazilin disa ditë para 1 janarit, që ishte dita e inaugurimit të pasardhësit të tij, presidentit Luiz Inacio Lula da Silva. Pesë shërbyes civilë janë autorizuar ta shoqërojnë atë në Miami, nga 1 deri më 30 janar.

Prezenca e tij në Florida ka shkaktuar kritika nga Demokratët e Shtëpisë, të cilët kanë kërkuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, që të mos ofrojë strehim për Bolsonaron, me arsyetimin se mbështetësit e tij kanë shkaktuar stuhi në institucionet demokratike të Brazilit, në kryeqytetin Brasilia, një sulm që është krahasuar me atë të Kongresit amerikan, më 6 janar të vitit 2021.

Më 13 janar të këtij viti, Gjykata Supreme e Brazilit ka pranuar një kërkesë nga zyra e prokurorit publik që ta hetojë Bolsonaron për përfshirjen e mundshme në sulmet e 8 janarit në Brasilia.