Rusët që me kontratë të përkohshme u dërguan në luftë kundër Ukrainës, tash janë dërguar përsëri në fronte, sipas urdhrit të fundit për mobilizim. Për të mos përfunduar në fushëbetejat, të rinjtë rusë po ikin nga vendi, duke i pranuar dënimet me burg e duke u prezantuar si me probleme mendore, për t’u dërguar në spitali psikiatrike.
BBC-ja, në një rrëfim të publikuar të mërkurën, tha se ka intervistuar një dezertor rus që luftoi, por gjatë tërë kohës ishte kundër.
“Me profesion jam gjuajtës i sistemeve të artilerisë. Pra, personalisht armë me dorë s'kam prekur, e as nuk kam vrarë. Puna ime dukej kështu: të vëzhgoja me dylbi dhe të jepja koordinata. Nuk është e vështirë, nuk shoh viktima. Në artileri më thonë 'shënjestra është qëlluar', dhe kaq”, nis rrëfimi i 20-vjeçarit Serhiy, nga qyteti Krasnodar.
I pyetur se ku ka mësuar të gjuajë me sisteme artilerie, 20-vjeçari tha se kjo është e zakonshme për të.
“Teorikisht mësohet në ushtri, por nuk kam pasur diçka të tillë. Gjatë kontratës time dolëm dy herë për të goditur objektivin, por nuk qëlluam askund. Qëlluam për herë të parë pranë Buchas”, deklaroi ai.
Edhe
Rrëfimi i oficerit dezertues rus: Ukraina nuk ishte beteja ime
Më 23 shtator, rusi mori një telefonatë ku u ftua që sërish t'iu bashkëngjitet trupave ushtarake në front ndaj Ukrainës.
“Nuk jam gati të kthehem”, tha ai, duke shtuar se për pesë muaj sa shërbeu, pa "gjithçka që duhet" dhe se nuk është më i gatshëm.
“Kemi marrë vesh se do të shkojmë në Ukrainë më 23 shkurt”, tha ai, derisa kur u pyet se pse nuk iku nga radhët ushtarake, u përgjigj me “nuk ke ku të ikësh”.
Fillimisht, Serhiy ishte dërguar drejt Chernobylit, e i vdekuri i parë që ai pa ishte një 19-vjeçar, gjegjësisht kolegu i tij.
“Nisi paniku. Ne shkuam me makinë në një magazinë në pyll. Ndaluam dhe ishim krejtësisht të hutuar. Në budallallëk nuk dinim çka të bënim, përfshirë edhe komandantët. Komandanti i batalionit bërtiti: ‘Pse qëndroni. Merrni pozicionet’”.
Sipas 20-vjeçarit, në atë lokacion, ukrainasit vranë pothuajse një divizion të plotë, e ata që mbijetuan, sipas tij, u fshehën në pyll.
“Komandantët nuk kishin as synime e as plan. Nuk kishte as ushqim, racionet ishin të thata dhe zgjatën vetëm tri javë. Askush nuk shpjegoi pse nuk ka ushqim. As komandantët tanë nuk kanë ngrënë. Nuk e di për komandantin e regjimentit, por ata kanë një togë zbulimi që pastron të gjitha dyqanet, kështu që ata duhet të kenë ngrënë mjaftueshëm”.
Serhiy rrëfeu se si zëvendësoheshin komandantët që vriteshin në luftë, derisa theksoi se i gjithë grupi i tij ishin të rinj.
“Kur një komandant vritet, një i ri emërohet nga ata të mbijetuarit. Në të njëjtën kohë, në front ka pak njerëz me përvojë, të gjithë ishin 19-20 vjeç. Kishte disa komandantë që shërbyen nga pesë vjet, komandanti ynë ka shërbyer për 12 vjet, por nuk ka qenë kurrë në luftë. Është dehur dhe është ngjitur në katin e dytë të shtëpisë (ku po qëndronim) dhe dikur, shpërtheu një predhë. Ia theu këmbët. E morën, paratë nuk ia dhanë dhe tani është në spital psikiatrik”.
Edhe
Ushtarët rusë rrëfejnë për ekzekutimet e bashkëluftëtarëve me urdhra komandantësh
Pas luftimeve dhe humbjeve të mëdha në Bucha, Irpin dhe në zonat përreth, regjimenti i Serhiyt vendosi të kthehej në Rusi, nëpërmjet Bjellorusisë. Në ndalesën e parë, 90 ushtarë bënë kërkesë të liroheshin nga lufta, por sipas 20-vjeçarit, komandantët iu thanë se do t'i burgosnin. Ushtarët mbetën në regjiment.
“Në Belgorod qëndruam në tenda në pyll për dy javë. Shkrova dy herë një letër dorëheqjeje. Mora dy refuzime, e komandanti u shpreh që ‘as që e kam lexuar’. Serhiy shtoi se gjatë tërë kohës po mbaheshin nën presion se do të qëlloheshin pas shpine, në momentin kur të largoheshin nga lufta.
Në mesin e prillit, Serhiy u kthye në territorin e Ukrainës. Rrugës drejt kufirit, kamioni ushtarak Kamaz, u prish, pasi motori nxehej deri në 120 gradë celsius çdo tre kilometra.
“Nuk mund ta vozisësh, kështu ndaluam dhe pritëm sa të ftohet”, rrëfeu ai.
Serhiy tha se gjatë tërë kohës në mendje e kishte se si të ikte nga lufta.
“Zgjohesha çdo ditë duke menduar se doja të hiqja dorë., Por në fund, përfundova në një ekuipazh tjetër, që nisej drejt frontit pa tank. Qëndruam në Izyum, hapëm llogore dhe lyenim tanke. Shkuam edhe për patrulla nate dhe të paktën aty sillnin ushqim”.
Në korrik, Serhiy, derisa po dërgohej në Popasnaya, la armën dhe u arratis. Bashkë me të edhe shtatë ushtarë të tjerë. Një mik e tij e mori me makinë për ta larguar nga lokaliteti ku ishte dërguar.
Pas peripecive për t'i ikur luftës, Serhiy u ftua prapë.
Edhe
Autopsitë e të burgosurve ukrainas tregojnë për sistem brutaliteti në burgjet ruse
“Ke dy mundësi, ose të shkosh në burg ose të kthehesh atje", deklaroi ai, duke treguar për mesazhin që mori.
Përktheu: Ermir Bujupaj