Rishi Sunak pritet të zgjidhet kryeministër i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar, pasi rivali i tij, Boris Johnson, është larguar nga gara, njoftoi të hënën Reuters.
42-vjeçari, ish-ministër i financave, mund të emërohet udhëheqës që nga e hëna, për ta zëvendësuar kryeministren e dorëhequr, Liz Truss, duke u bërë kryeministri i tretë i Britanisë në më pak se dy muaj.
Sunak do të përballet me një nga sfidat më të frikshme – atë të rindërtimit të reputacionit fiskal të Britanisë, vend ky që po përballet me një recesion për shkak të rritjes së normave të energjisë e ushqimit.
Ai do të kryesojë gjithashtu një parti që ka kaluar në disa kriza brenda muajve të fundit, në të cilën është shkaktuar një ndarje përgjatë vijave ideologjike.
"Mbretëria e Bashkuar është një vend i madh, por ne përballemi me një krizë të thellë ekonomike", tha Sunak në një deklaratë, derisa shpalli kandidaturën e tij të dielën.