Sfidat me të cilat përballet kryeministri i tretë i Britanisë së Madhe këtë vit janë të mëdha: duhet të përpiqet të mbështetë ekonominë që po rrëshqet drejt recesionit pas eksperimentit të shkurtër, katastrofik të paraardhëses së tij në ekonominë libertariane, duke u përpjekur gjithashtu ta bashkojë partinë e demoralizuar dhe të ndarë që mbetet shumë pas opozitës në sondazhet e opinionit
Rishi Sunak është bërë kryeministri i tretë brenda vitit në Britaninë e Madhe, duke marrë detyrën në kohën kur shteti ishullor po përballet me krizë politike që ka goditur financiarisht dhe kur miliona britanikë mezi po i paguajnë faturat e ushqimit dhe energjisë.
Duke folur para rezidencës së Kryeministrisë pasi nga Mbreti Charlesi i Tretë mori mandatin për formimin e Qeverisë, Sunaku ka thënë se do të do ta luftojë me pasion krizën e thellë ekonomike. Lideri i ri është zotuar gjithashtu se do ta bashkojë vendin duke i prirë me integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie Qeverisë së re.
Ai ka lavdëruar edhe paraardhësen Liz Truss, e cila qëndroi në pushtet vetëm 44 ditë. Ka thënë se ajo kishte qëllime të mira me planin e saj që shkaktoi turbulenca në tregjet financiare, por e ka pranuar se pati gabime në qeverisjen e saj. Truss ka mbajtur një fjalim të shkurtër lamtumirës, duke mbrojtur politikat e saj për ulje taksash. Sunaku ndërkaq bëhet kryeministri i tretë brenda shtatë javësh. Ai ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të reja, pavarësisht thirrjeve të partive opozitare.
Kryeministri i parë me ngjyrë
Ish-shefi i Thesarit, bëhet kryeministri i parë me ngjyrë i Britanisë, pasi u zgjodh të hënën për ta udhëhequr partinë konservatore në pushtet. Ajo ka fort nevojë për një palë duar të sigurta për ta udhëhequr vendin përgjatë turbulencave ekonomike dhe politike.
Sfidat me të cilat përballet kryeministri i tretë i Britanisë së Madhe këtë vit janë të mëdha: duhet të përpiqet të mbështetë ekonominë që po rrëshqet drejt recesionit pas eksperimentit të shkurtër, katastrofik të paraardhëses së tij në ekonominë libertariane, duke u përpjekur gjithashtu ta bashkojë partinë e demoralizuar dhe të ndarë që mbetet shumë pas opozitës në sondazhet e opinionit.
Në deklaratën e tij të parë publike, Sunak tha se "Mbretëria e Bashkuar është një vend i madh, por nuk ka dyshim se ne përballemi me një sfidë të thellë ekonomike".
“Tani kemi nevojë për stabilitet dhe unitet dhe unë do ta kem prioritetin më të madh bashkimin e partisë tonë dhe vendin tonë”, tha Sunak, i cili në moshën 42-vjeçare bëhet kryeministri më i ri i Britanisë në 200 vjet.
Sunak do të jetë kryeministri i parë britanik me rrënjë nga Azia Jugore dhe udhëheqësi i tij i parë hindus – një moment historik për një vend me të kaluar të gjerë koloniale dhe si vend që ende kontestohet.
I zgjedhur udhëheqës i partisë në kohën e festivalit të madh hindus të Diwalit, Sunak merr detyrën nga Liz Truss, e cila dha dorëheqjen javën e kaluar pas 45 ditësh të trazuara në detyrë. Rivalja e tij e vetme e mbetur, Penny Mordaunt, u tërhoq pasi nuk arriti ta siguronte pragun e nominimit prej 100 ligjvënësish konservatorë të nevojshëm për të qëndruar në garë.
Sunak tani do t'i kërkohet nga Mbreti Charles III për ta formuar Qeverinë dhe do të bëhet kryeministër pas dorëzimit të pushtetit nga Truss.
Fitorja është shfajësim për Sunakun, i cili humbi nga Truss në zgjedhjet konservatore për ta zëvendësuar ish-kryeministrin Boris Johnson gjatë verës, kur anëtarët e partisë mbështetën shtytjen e saj për uljen e taksave në vend të paralajmërimeve të tij se inflacioni duhet të zbutet.
Truss pranoi javën e kaluar se nuk mund t'i përmbushte planet e saj - por vetëm pasi përpjekjet e saj shkaktuan kaos në treg dhe përkeqësuan inflacionin në një kohë kur miliona britanikë tashmë po luftonin me rritjen e kostove të huamarrjes dhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Sfida e inflacionit
Partia tani është e dëshpëruar që dikush t’ia japë drejtimin e duhur pas muajsh kaosi - si gjatë mandatit të shkurtër të Trussit, ashtu edhe në fund të qeverisjes së Johnsonit.
Si ministër i Financave, Sunaku drejtoi ekonominë përmes pandemisë së koronavirusit, duke fituar lëvdata për mbështetjen financiare për punëtorët e pushuar nga puna dhe bizneset e mbyllura.
Tani përballet me sfidën e madhe të qetësimit të tregjeve dhe përpjekjes për ta zbutur inflacionin në një kohë të financave të dobësuara të Qeverisë, një perspektivë ekonomike të përkeqësuar dhe një valë grevash. Shefi i Thesarit, Jeremy Hunt, i emëruar nga Truss 10 ditë më parë, do të bëjë një deklaratë urgjente buxhetore më 31 tetor - nëse Sunaku e mban në detyrë.
Britania gjithashtu përballet me probleme më të gjera ekonomike që rrjedhin nga pandemia, lufta në Ukrainë dhe dalja e vendit nga Bashkimi Evropian në vitin 2020. Sunaku ishte një mbështetës i vendosur i Brexit.
Sunak u brohorit furishëm nga ligjvënësit konservatorë gjatë një takimi të mbushur privat në Parlament disa minuta pasi fitoi garën të hënën.
Ish-ministri i kabinetit, Chris Grayling, tha se Sunaku i kishte kërkuar partisë "të bashkohej dhe t’i rregullonte problemet me të cilat përballet vendi" dhe se ishte pritur me “entuziazëm".
Therese Coffey, e cila ishte zëvendëskryeministre e Trussit, tha se e gjithë partia duhet ta mbështetë Sunakun tani.
“Duhet të jemi pas tij”, tha ajo.
Por Sunaku ende përballet me pakënaqësi nga mbështetësit e Johnsonit për largimin nga Qeveria në korrik, një veprim që ndihmoi në rrëzimin e udhëheqësit të atëhershëm. Sfondi i tij si bankier investimesh në Goldman Sachs dhe pasuria e madhe e gruas së tij – ajo është e bija e një miliarderi nga India – gjithashtu nxit ndjenjën se ai nuk ka lidhje me betejat e njerëzve të zakonshëm.