Vendimi i Gjykatës së Manhattanit se ai abuzoi seksualisht me një kolumniste, nuk do t’ia ndalë hovin Donald Trumpit në përpjekjet e tij për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, mirëpo republikanët janë të frikësuar se ky dënim mund t’ua humbë votat e grave, të cilat llogariten si vendimtare për kthimin e tij në pushtet
(CNN) - Vendimi i Gjykatës së Manhattanit se ish-presidenti Donald Trump abuzoi seksualisht me kolumnisten e revistave, Jean Carroll, në vitet ’90 nuk ka kërcënuar pozicionin e Trumpit si prijës i garës për nominim presidencial në partinë republikane.
Të martën mbrëma, Gjykata urdhëroi Trumpin që të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj viktimës E. Jean Carroll.
Mirëpo disa kritikë brenda partisë kanë thënë se ky vendim i gjykatës pritet të jetë në qendër të debateve për zgjedhjet presidenciale në rast se ai fiton nominimin nga republikanët.
Vendimi unanim i Gjykatës gjithashtu do të dobësojë pozicionin e tij karshi grupeve kyç të votimit – përfshirë gratë. Republikanëve u duhen votat e grave për të pasur mundësi të kthehen përsëri në Shtëpinë e Bardhë.
Mal dilemash
Carroll, 79-vjeçare, dëshmoi gjatë procesit gjyqësor se Trumpi, 76-vjeçar, e përdhunoi atë në dhomën e zhveshjes së një dyqani në Manhattan në vitet 1995 ose 1996, më pas dëmtoi reputacionin e saj, duke shkruar në një postim të tetorit 2022 në platformën e tij Truth Social se pretendimet ishin “mashtrim” dhe “gënjeshtër".
Trumpi ka munguar gjatë gjithë gjyqit, që filloi më 25 prill. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e quajti vendimin të turpshëm dhe tha se nuk e ka absolutisht asnjë ide se kush është kjo grua.
Për pjesën më të madhe të historisë moderne të SHBA-së dhe për shumicën e kandidatëve, zhvillimet e së martës do të ngrinin pyetje potencialisht të pakapërcyeshme të qëndrueshmërisë së Trumpit.
Shumë kandidatë për Shtëpinë e Bardhë janë tërhequr nga gara presidenciale për më pak akuza ose skandale. Dhe Trumpi, i cili është deklaruar i pafajshëm në çështje të veçantë penale që përfshin pagesa të parave për yllin e filmave për të rritur, po përballet me kërcënime të shumta ligjore.
Ai po pret nëse do të akuzohet në hetime të veçanta në përpjekjen e tij për të mohuar zgjedhjet e vitit 2020 dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Por fakti që Trump nuk do të largohet nga gara e Partisë Republikane - dhe se askush nuk do të mund ta rrëzojë atë - tregon dominimin e tij ndaj republikanëve.
Heshtja “domethënëse” e rivalëve
Mungesa e reagimeve tregon se si kandidatët e mundshëm republikanë për zgjedhjet e vitit 2024 po kanë telashe që të përcaktojnë vizionin e tyre si alternativë e tij, por pa nxitur reagimin e mbështetësve të Trumpit. Deklarata nuk kanë dhënë deri tani as guvernatorja e Karolinës Jugore, Nikki Haley, ose kandidati i mundshëm për president, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis. Megjithëse ka një zemërim të madh në mesin e mbështetësve të Trumpit kundrejt skandaleve të tij të pafundme dhe të dobësive politike personale, ata që kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ish-presidentit, nuk ia kanë dalë të kenë as përkrahjen e përafërt në anketime, e lëre më t’i përvilen zyrtarisht garës.
Ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson – i cili mori 1 për qind të përkrahjes në një anketim të kryer së fundmi nga Washington Post dhe ABC News në mesin e republikanëve dhe të pavarurve me prirje republikane – ka dënuar haptazi veprimet e Trumpit. Ai i ka thënë Erin Burnettit të CNN-së se sistemi i drejtësisë është i shenjtë dhe se anëtarët e trupit gjykues kanë nxjerrë verdiktin që tregon se Trumpi nuk është i kualifikuar për të shërbyer në poste publike dhe se republikanët duhet të shqyrtojnë implikimet zgjedhore të emërimit të një kandidati të ngjashëm partiak për president.
“Unë respektoj trupin gjykues për vendimin. S’e luan topi se ata vendosën drejt”, ka deklaruar Hutchinson, duke argumentuar se zgjedhja president e një personi të dënuar për abuzim seksual, do të ishte në kundërshtim me vlerat themelore amerikane. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë respekt për sistemin e tyre të drejtësisë. “Duhet t’i vlerësojmë dhe të mos i nënçmojmë”, ka theksuar ai.