Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dënimi nuk ia ndal hovin ish-presidentit Trump për kthim në Shtëpinë e Bardhë

Vendimi i Gjykatës së Manhattanit se ish-presidenti Donald Trump abuzoi seksualisht me kolumnisten e revistave, Jean Carroll, në vitet ’90 nuk ka kërcënuar pozicionin e Trumpit si prijës i garës për nominim presidencial në partinë republikane.

Të martën mbrëma, Gjykata urdhëroi Trumpin që të paguajë 5 milionë dollarë dëmshpërblim ndaj viktimës, E. Jean Carroll.

Mirëpo disa kritikë brenda partisë kanë thënë se ky vendim i gjykatës pritet të jetë në qendër të debateve për zgjedhjet presidenciale në rast se ai fiton nominimin nga republikanët.

Vendimi unanim i Gjykatës gjithashtu do të dobësojë pozicionin e tij karshi grupeve kyç të votimit – përfshirë gratë. Republikanëve u duhen votat e grave për të pasur mundësi të kthehen përsëri në Shtëpinë e Bardhë.

Carroll, 79-vjeçare, dëshmoi gjatë procesit gjyqësor se Trumpi, 76-vjeçar, e përdhunoi atë në dhomën e zhveshjes së një dyqani në Manhattan në vitet 1995 ose 1996, më pas dëmtoi reputacionin e saj, duke shkruar në një postim të tetorit 2022 në platformën e tij Truth Social se pretendimet ishin “mashtrim” dhe “gënjeshtër".

Trumpi ka munguar gjatë gjithë gjyqit, që filloi më 25 prill. Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e quajti vendimin të turpshëm dhe tha se nuk e ka absolutisht asnjë ide se kush është kjo grua.

Edhe Republikanët u druajnë grave anti-Trump Botë Republikanët u druajnë grave anti-Trump

Për pjesën më të madhe të historisë moderne të SHBA-së dhe për shumicën e kandidatëve, zhvillimet e së martës do të ngrinin pyetje potencialisht të pakapërcyeshme të qëndrueshmërisë së Trumpit.

Shumë kandidatë për Shtëpinë e Bardhë kanë dalë nga gara presidenciale për më pak akuza ose skandale. Dhe Trumpi, i cili është deklaruar i pafajshëm në çështje të veçantë penale që përfshin pagesa të parave për yllin e filmave për të rritur, po përballet me kërcënime të shumta ligjore.

Ai po pret nëse do të akuzohet në hetime të veçanta në përpjekjen e tij për të mohuar zgjedhjet e vitit 2020 dhe mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara. Por fakti që Trump nuk do të largohet nga gara e GOP - dhe se askush nuk do të mund ta rrëzojë atë - tregon dominimin e tij ndaj Partisë Republikane.