“Reporterët pa kufij” kanë përfshirë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, në listën vjetore të “armiqve të lirisë së shtypit”.
Është kjo hera e parë që kryetari i një qeverie anëtare të Bashkimit Evropian përfshihet në këtë listë, përkrah liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, si dhe presidentin sirian, Bashar Al-Assad.
Në justifikimin e vendimit, grupi i gazetarëve ka bërë të ditur se qysh nga ardhja në pushtet më 2010, Orbani dhe partia e tij Fidesz “e kanë vënë gradualisht të gjithë spektrin mediatik të Hungarisë nën kontrollin e tyre”.
Grupi ka specifikuar se Orbani ka vënë mediat në shënjestër nëpërmjet “mashtrimeve politiko-ekonomike, diskreditimit dhe autocensurës”.
Sipas “Reporterëve pa kufij”, shtypi rajonal i Hungarisë që nga vera e 2017-s ka qenë plotësisht në pronësi të sipërmarrësve të afërt me Orbanin.