Ish-i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi dhe lobisti i afërt me presidentin Donald Trump, Richard Grenell, ka hyrë në konflikt të hapur me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, dhe një nga pasojat më të dukshme të kësaj përplasjeje ishte anulimi i takimit midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Trumpit në Florida vitin e kaluar, ka raportuar “Daily Mail” të premten.
Grenell njihet ndërkombëtarisht për qëndrimet kontraverse – përfshirë mohimin gjenocidit të Srebrenicës dhe kundërshtimin e Rezolutës së OKB-së për gjenocidin – dhe për shkak të afërsisë së tij me Trumpin u përmend shpesh si kandidat potencial për sekretar të Shtetit të SHBA-së.
Megjithatë, ai humbi mbështetjen brenda administratës. Grenelli u caktua si drejtues i qendrës së arteve “Kennedy Center”, një detyrë që do të jetë pak e dukshme pasi qendra do të mbyllet për renovim për dy vjet – pozicion larg prestigjit të tij si ish-drejtor i Zbulimit Kombëtar.
Sipas burimeve, rënia e tij filloi pas një përplasjeje të ashpër me Susie Wilesin gjatë Konventës Republikane të vitit 2024, kur Grenelli u zemërua për pozitë të pafavorshme në programin e folësve.
“Ti je arsyeja pse do t’i humbasim këto dreq zgjedhje!”, raportohet se Grenelli i ka thënë Wilesit – incident që vulosi fatin e tij në administratë.
Një tjetër moment vendimtar ishte përplasja në lidhje me politikën ndaj Venezuelës. Grenell, i emëruar si përfaqësues special për Venezuelën, favorizonte një qasje “pragmatike” diplomatike për lirimin e të burgosurve dhe marrëveshje për naftë – ndryshe nga pozicioni më agresiv i preferuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe Susie Wiles, që u bë dominuese në politikën amerikane.
Kulmi i rënies së tij ishte përpjekja për të organizuar një takim midis Vuçiqit dhe Trumpit në Mar-a-Lago në maj 2025, i cili u anulua – zyrtarisht njoftuar si problem shëndetësor i papritur i Vuçiqit që e detyroi të kthehej në Beograd pa takuar Trumpin. Sipas burimeve, takimi u bllokua nga Susie Wiles, duke lënë Vuçiqin në një pozicion të sikletshëm dhe duke treguar qartë se Grenelli nuk kishte më ndikim real në qarqet e fuqisë brenda administratës.
Grenelli i mohoi konfliktet me Wilesin dhe ka thënë se kishin marrëdhënie miqësore, por asnjë konfirmim i tillë nuk erdhi nga Wilesi. Ngjarjet e fundit duket se e kanë izoluar atë brenda rrethit të Trumpit.