Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Referendumi - Islanda besohet t'i ketë refuzuar bisedimet për anëtarësim në BE

Referendum

Foto: Associated Press

Qytetarët e Islandës raportohet se kanë refuzuar propozimin e qeverisë për të zhvilluar bisedime për anëtarësim në BE, ka raportuar transmetuesi publik RUV, ndërsa kanë mbetur për t'u numëruar vetëm një numër i vogël votash.

Krahu që votoi "kundër" mori 52,5% të votave dhe ai që votoi "pro" 47,5%, me vetëm pak fletëvotime të mbetura për t'u numëruar në një nga gjashtë zonat zgjedhore të Islandës, e cila tashmë anon nga "kundër", siç treguan të dhënat e numërimit online në RUV të dielën.

"Kombi refuzon negociatat e anëtarësimit me BE-në”, ka shkruar RUV.

Përveç nëse ndodh ndonjë kthesë e madhe në momentin e fundit, rezultati i jep një goditje Brukselit, i cili ishte i prirur të mirëpriste një anëtar të ri të pasur dhe dukej i gatshëm të bënte kompromise me Islandën për çështje të ndërlikuara, me qëllim lehtësimin e anëtarësimit të saj.

Qeveria në Reikjavik e kishte paraqitur planin e saj të anëtarësimit si një moment "tani ose kurrë", dhe kryeministrja Kristrun Frostaottir u ka thënë votuesve në gusht se një votë "kundër" do t'i jepte fund të gjitha spekulimeve lidhur me BE-në.

Mbështetësit e anëtarësimit kanë argumentuar se hyrja në bllok mund të lehtësonte normat e larta të interesit dhe të ofronte më shumë siguri në një botë të trazuar nga lufta në Ukrainë dhe nga retorika e presidentit amerikan, Donald Trump, për aneksimin e një ishulli tjetër të Arktikut, Grenlandës.

Megjithatë, kundërshtarët e anëtarësimit kanë thënë se hyrja në BE do të kërcënonte sovranitetin e ishullit dhe ujërat e tij të peshkimit.

Edhe Nëntë shtete ia mbajnë Serbisë të bllokuar hapjen e kapitujve me BE-në Arbëri Nëntë shtete ia mbajnë Serbisë të bllokuar hapjen e kapitujve me BE-në

Fushata e referendumit ka nxitur debate mbi vendin e Islandës në botë, ka thënë Kristrun për gazetarët pasi votoi në kryeqytet të shtunën.

"Kjo është një ditë e madhe. Kemi vite që presim për të pasur mundësinë të votojmë”, ka thënë ajo, duke shtuar se qeveria e saj do të vazhdonte punën pavarësisht rezultatit.

Islanda aplikoi për herë të parë për t'u anëtarësuar në BE në vitin 2009, kur një krizë financiare goditi ekonominë e vogël dhe të cenueshme të vendit. Mirëpo, një qeveri euroskeptike i dha fund bisedimeve në vitin 2013.