Botë

Raportohet se Trumpi po përgatitet ta njohë shtetin palestinez

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po përgatit deklaratë gjatë javës së ardhshme me të cilën do ta njohë shtetin e Palestinës, por pa praninë e Hamasit, ka raportuar me burime agjencia amerikane që mbulon Lindjen e Mesme, “The Media Line”. Lajmi është transmetuar edhe nga një prej mediumeve më të mëdha izraelite, “The Jerusalem Post”.

Trumpi do të marrë pjesë në samitin e Gjirit – SHBA që do të mbahet javën e ardhshme në Riad të Arabisë Saudite.

Një burim diplomatik nga Gjiri i ka thënë “The Media Line” se Trumpi në këtë samit do të lëshojë deklaratë në lidhje “me themelimin e shtetit të Palestinës dhe njohjen e tij nga Amerika, por pa praninë e Hamasit”.

“Nëse bëhet një njoftim për njohjen amerikane të Shtetit të Palestinës, do të jetë deklarata më e rëndësishme që do të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, dhe më shumë vende do t'i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit”, ka thënë ky burim.

Marrëveshjet e Abrahamit janë një sërë marrëveshjesh historike për normalizim të marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja gjatë presidencës së parë të Trumpit në vitin 2020.

Gjatë takimit me kryeministrin kanadez Mark Carney në Shtëpinë e Bardhë më 6 maj, Trumpi paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhet “një njoftim i madh”, pa specifikuar për çka bëhet fjalë.

Ahmed Al-Ibrahim, një ish-diplomat i Gjirit, megjithatë është shprehur skeptik se Trumpi mund ta shpallë njohjen e Palestinës. Sipas tij, në këtë samit pritet të ketë marrëveshje të mëdha ekonomike, të ngjashme me ato të vitit 2017.

Në vitin 2017, Arabia Saudite e Emiratet e Bashkuara Arabe arritën marrëveshje ekonomike me SHBA-në për investime triliona dollarësh.

Në samitin e sivjetmë, përveç marrëveshjeve ekonomike, mund të diskutohet edhe për bashkëpunimin bërthamor Arabi – SHBA.