Vijojnë polemikat e futbollistes amerikane, Megan Rapinoe kundër presidentit Donald Trump, madje situata ka arritur deri aty sa kombëtarja amerikane e futbollit të femrave ka shfaqur gatishmërinë të refuzojë ftesën e shefit të Shtëpisë së Bardhë, për ta vizituar, pas triumfit në Botërorin e Femrave në Francë.
Megjithatë kombëtarja nuk e ka refuzuar ftesën e Kongresit, e një gjë e tillë është konfirmuar nga senatori demokrat, Chuck Schumer.
Kapitenia e skuadrës 4 herë kampione të botës, Megan Rapinoe në një intervistë për CNN, konfirmoi atë që ajo tha disa javë më parë, nëse do të vinte një ftesë nga Shtëpia e Bardhë, ajo dhe shoqet e saj të skuadrës nuk do të shkonin.
“Të ekspozosh skuadrën tonë si një trofe do të ishte një mundësi e mirë për këtë administratë, nuk mendoj se për ne kjo ka kuptim”, tha Rapinoe në intervistën e saj, “dhe nuk arrij të imagjinoj se ndonjë prej shoqeve të mia dëshiron të vihet në pozitë të tillë”.
Por, Rapinoe shkoi edhe më tej duke vijuar kritikat kundrejt Trumpit, transmeton TCH.
“Mesazhi i tij është një përjashtim për personat si unë”, vijoi Rapione, që nuk e fsheh krenarinë që mbështet kauzën e komunitetit LGBT, “ai si President ka përgjegjësinë që të kujdeset për shtetasit e këtij vendi dhe të bëjë më të mirën për të gjithë”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nëpërmjet profilit të tij në Twitter, përpara dy ditësh uroi skuadrën kombëtare amerikane të femrave, për titullin botëror të fituar më 7 korrik.
“Urime për skuadrën e futbollit të femrave të SHBA, për fitoren e Kupës së Botës”, shkruante Presidenti amerikan, në postimin e tij, “një lojë e mrekullueshme dhe entuziaste. Amerika është krenare për të gjitha ju”.