Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Dëgjohen shpërthime në Lviv

Pushtimi i Ukrainës ka hyrë të shtunën në ditën e 31-të. Qindra njerëz, përfshirë më shumë se 120 fëmijë janë vrarë deri tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme ruse mbi disa qytete

16: 54 - Dëgjohen shpërthime në Lviv

Gjatë ditës së shtunë janë dëgjuar shpërthime në qytetin ukrainas, Lviv, ka bërë të ditur Reuters.

Agjencia e lajmeve citon një dëshmitar të ketë thënë se është parë edhe tym.

Lviv, i cili është afër kufirit me Poloninë, ka qenë relativisht i sigurt nga sulmet ruse dhe ka qenë vendi ku qytetarët nga perëndimi i vendit kanë ikur për të shpëtuar.

14:14 - Forcat ruse bombardojnë në periferi të Kievit

Administrata ushtarake e rajonit të Kievit ka bërë të ditur të shtunën se periferitë në perëndim dhe lindje të kryeqytetit janë goditur nga granatimet ruse në orët e fundit.

Oleksandr Pavliuk, kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, ka thënë në një deklaratë se periferitë perëndimore të Маkariv, Bucha dhe Irpin ishin nën granatime dhe se komuniteti i Bilohorodka ishte nën sulme me raketa, raporton CNN.

Pavliuk shtoi se forcat ruse po forcoheshin në Bucha dhe një tjetër periferi perëndimore, Nemishaeve.

Një kundërsulm ukrainas në veri dhe në perëndim të kryeqytetit dukej se kishte bërë përparim në fillim të kësaj jave, me forcat ukrainase që rivendosën kontrollin e qytetit të Makariv, i cili është rreth 64 km në perëndim të Kievit.

Dëmet më të mëdha nga bombardimet ishin në rrethet Bucha, Brovary dhe Vyshhorod të rajonit, ka bërë të ditur Pavliuk.

11:18 - Protesta në veri të Kievit, raportohet për rrëmbimin e kryetarit të qytetit ukrainas

Trupat ruse kanë hyrë në qytetin Slavutych, në veri të Kievit – lëvizje që nxiti protesta të qindra civilëve ukrainas, raporton të shtunën CNN.

Kreu i administratës rajonale të Kievit, Oleksandr Pavliuk, ka thënë se “pushtuesit rusë hynë në qytetin e Slavutychit dhe kanë marrë kontrollin e spitalit të qytetit”.

Kryetari i Slavutychit, Yuri Fomichev, u ka kërkuar banorëve të shkojnë në sheshin e qytetit me simbole ukrainës “për të treguar pozicionin e tyre”.

Pamje nga atje janë shpërndarë edhe në Telegram që tregojnë qindra njerëz që brohorasin “Slavutych është Ukrainë” dhe “Rroftë Ukrainë”, në sheshin kryesore.

Zhurma e të paktën tri granatave dëgjohet, por nuk dihet kush ka gjuajtur. Kur turma lëvizte përmes sheshit, u dëgjuan edhe të shtëna të rënda.

Pavliuk ka thënë se “sipas informacioneve të fundit, kryetari Yuri Fomichiv është rrëmbyer nga pushtuesit”.

Sipas zyrtarëve lokale, qyteti është izoluar që prej fillimit të pushtimit. Slavutych është ndërtuar për punëtorët e centralit bërthamor të Chernobylit pasi katastrofa e 1986-s e la zonën të pabanueshme.


11:06 - Strategjia e pushtimit rus “ka dështuar”

Strategjia fillestare e Rusisë në Ukrainë ka dështuar dhe ushtria e saj tani duhet të vendos çfarë të bëjë, ka thënë një analist ushtarak për BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU


11:00 - Kievi shpall orë policore për një ditë të plotë

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar sërish të shtunën për orë policore në kryeqytet, raporton BBC.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU


10:21 - Bie numri i ukrainasve që kalojnë kufirin me Poloninë

Numri i njerëzve që po ikin nga Ukraina për në Poloni ka filluar të bjerë ditët e fundit, me 30,500 kalime të premten, apo 6.4% më pak nga një ditë më parë, ka bërë të ditur të shtunën Roja Kufitare Polake.

Lajmi i plotë KËTU


10:13 - Bideni viziton sot refugjatët ukrainas

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të bëjë të shtunën ndalesën e tij të fundit nga udhëtimi disa ditor në Evropë, duke vizituar refugjatët ukrainas në kufirin Poloni-Ukrainë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU


Inteligjenca britanike: Rusia do të vazhdojë përdorimin e armëve të rënda në zonat urbane

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë të shtunën se Rusia preferon bombardimet “pa dallim” dhe se ka të ngjarë që të vazhdojë të përdorë “armë të rënda” në zonat urbane.

Në përditësimin e inteligjencës britanike thuhet se Rusia ka pësuar humbje të mëdha.

Forcat ruse po tregohen të gatshme për t'u përfshirë në operacione urbane, thuhet në njoftimin, dhe “preferojnë të mbështeten në përdorimin pa kriter të bombardimeve ajrore dhe artilerie në një përpjekje për të demoralizuar forcat mbrojtëse”.

“Ka të ngjarë që Rusia do të vazhdojë të përdorë fuqinë e saj të madhe të zjarrit në zonat urbane, pasi synon të kufizojë humbjet e saj tashmë të konsiderueshme, me koston e viktimave të mëtejshme civile”, ka thënë inteligjenca.

Shton se rusët vazhdojnë të rrethojnë qytete të Ukrainës, si Kharkivin, Chernihivin dhe Mariupolin.


08:30 - 136 fëmijë të vrarë deri tani në Ukrainë

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës ka bërë të ditur të shtunën se 136 fëmijë janë vrarë deri tani si pasojë e sulmeve ruse.

Sipas kësaj zyre, numri i fëmijëve të plagosur ka arritur në 199 që kur ka nisur pushtimi më 24 shkurt, raporton BBC.

Sipas autoriteteve ukrainase numri i përgjithshëm i civilëve të vrarë deri tani në Ukrainë ka shkuar në mbi 1.000.


08:00 - OBSH: Sulmet ndaj spitaleve në Ukrainë po shtohen çdo ditë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se më shumë se 70 sulme të ndara janë kryer ndaj spitaleve, ambulanca dhe mjekëve në Ukrainë nga forcat ruse.

Sipas OBSH-së shënjestrimi i objekteve të kujdesit shëndetësor është bërë pjesë e strategjisë dhe taktikave të luftës moderne.

Që nga 24 shkurti, OBSH-ja ka rishikuar dhe verifikuar 72 sulme të veçanta në objektet e kujdesit shëndetësor në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar të paktën 71 vdekje dhe 37 lëndime.

Shumica e sulmeve kanë dëmtuar spitalet, transportet mjekësore dhe dyqanet e furnizimeve, por OBSH-ja ka regjistruar gjithashtu rrëmbimin ose ndalimin "e mundshëm" të personelit të kujdesit shëndetësor dhe pacientëve.

"Ne jemi të shqetësuar se ky numër po rritet çdo ditë”, i ka thënë BBC-së përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, Jarno Habicht.


07:54 - Sirenat e sulmit ajror bien nëpër qytete të shumta të Ukrainës

Sirenat e sulmit ajror kanë rënë në një numër qytetesh anembanë Ukrainës, të shtunën në mëngjes, sipas raporteve të mediave lokale.

Disa nga qytetet janë kryeqyteti Kiev, Cherkasy dhe Kropyvnytskyi në Ukrainën qendrore, Zaporizhia dhe Dnipro në juglindje, Zhytomyr në lindje dhe Kharkiv dhe Sumy në rajonet verilindore në Ukrainë.

Image
Foto: AP

07:45 - Raketa nga Gjermania mbërrijnë në Ukrainë

Një dërgesë prej 1.500 raketash anti-ajrore Strela dhe 100 mitraloza MG3 kanë mbërritur të premten në Ukrainë nga Gjermania, citoi agjencia gjermane e shtypit të kenë thënë zyrtarë të qeverisë ukrainase.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, ka thënë të mërkurën se furnizimet e mëtejshme të raketave Strela ishin të lidhura me Ukrainën pas vonesave në dërgesat, raporton BBC.

Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që Gjermania të ndryshojë politikën e saj historike për të mos dërguar armë në zonat e konfliktit.

"Ne jemi një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në këtë situatë, kjo nuk na bën krenarë, por kjo është ajo që ne duhet të bëjmë për të ndihmuar Ukrainën”, ka thënë Baerbock.

Raketat Strela ishin në inventarët e ish-ushtrisë komuniste të Gjermanisë Lindore.

Artikuj të ngjashëm