Grupi militant Houthi ka goditur Izraelin qendror me një raketë për herë të parë të dielën dhe ka deklaruar se do të sulmojë përsëri në solidaritet me palestinezët.
Zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Sarea ka thënë se grupi ka goditur me raketë të re balistike që ka udhëtuar 2040 kilometra në vetëm 11 minuta e gjysmë. Ushtria izraelite ka thënë se raketa ka rënë në një zonë të hapur dhe se nuk ka të lënduar.
Sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në Tel-Aviv dhe përgjatë Izraelit qendror vetëm disa momente para rënies së raketës, duke i shtyrë banorët të vrapojnë për në strehimore. U dëgjuan zhurma të forta, për të cilat ushtria tha se vinin nga përgjuesit e raketave.
Houthit kanë lëshuar raketa në Izrael shpesh në solidaritet me palestinezët, që nga fillimi i luftës në Gaza, raporton Reuters.
Më herët, raketat e Houthive nuk kanë depërtuar në hapësirën ajrore të Izraelit, ku e vetmja raketë e raportuar se e ka goditur territorin izraelit ka rënë në një zonë të hapur pranë portit Eilat të Detit të Kuq në mars.
Përveç raketave, Houthit e kanë sulmuar Izraelin edhe me dronë, duke përfshirë një që e goditi Tel-Avivin për herë të parë në korrik, duke vrarë një burrë dhe duke plagosur katër persona.
Izraeli duhet të presë më shumë sulme në të ardhmen “ndërsa i afrohemi përvjetorit të parë të operacionit të 7 tetorit, duke përfshirë përgjigjen ndaj agresionit të tij në qytetit të Hodeidah”, ka thënë Sarea.