Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se trupat ukrainase po përballen me një situatë të vështirë në qytetin lindor të Bakhmutit, por tha se do të reagohet në mënyrë të duhur nëse rrezikohet rrethimi i qytetit nga ushtria ruse.
Siç raportoi TheGuardian të mërkurën, Zelensky tha në një konferencë për media se trupat e Kievit në Bakhmut po përparojnë kundrejt atyre ruse, por që sipas tij, ende rusët gjenden në qytet.
“Për mua, më e rëndësishmja është të mos humbasim ushtarë dhe sigurisht që nëse ka momente rreziku ku mund të humbasim personelin tonë për shkak të rrethimit, do të merren vendimet përkatëse nga gjeneralët atje. Sa më shumë që Kievi të merr municione nga partnerët perëndimorë, aq më shpejt do të jetë në gjendje të luftojë në Bakhmut dhe kudo. Ka sukses në disa rrethe të Bakhmutit, po përparojmë”, deklaroi Zelensky.
Luftimet në Bakhmut po zhvillohen tash e disa muaj. Ushtria e Vladimir Putinit ka pretenduar se ka shënuar suksese në këtë qytet, derisa Ukraina në vazhdimësi i ka mohuar këto.