Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qyteti ukrainas Mykolaiv me shtetrrethim për kapjen e spiunëve

Qyteti jugor i Ukrainës, Mykolaivi, ka nisur shtetrrethimin që nga e premtja me qëllim që autoritetet të gjejnë dhe t’i arrestojnë njerëzit që besohet se po i ndihmojnë Rusisë., raporton agjencia AP. 

Teksa ekipet emergjente çdo ditë po shuajnë zjarret e shkaktuara nga bombardimet në qytetin që gjendet afër pjesëve të pushtuara nga Rusia në rajonin Kherson, kryetari rajonal, Vitaly Kim, thotë se shtetrrethimi mund t’u ndihmojë që të gjejnë bashkëpunëtorët e Rusisë.

“Vetëm gjatë javës së kaluar policia ka arrestuar katër persona. Ka ende punë për të bërë. Kjo është arsyeja se përse është vendosur shtetrrethimi”, tha Kim.

Qyteti i Mykolaivit është nën sulme që prej fillimit të luftës nga Rusia.

Në fund të muajit mars, një raketë goditi ndërtesën e administratës shtetërore, duke lënë të vdekur 36 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Mirëpo, në javët e fundit është përkeqësuar situata pasi Rusia ka vazhduar bombardimin e qytetit.

Edhe Rusia intensifikon sulmet ajrore mbi Mykolaiv Botë Rusia intensifikon sulmet ajrore mbi Mykolaiv

Në sulmet e fundit, forcat ruse kanë bombarduar qytetin në pikë të ditës, duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërkaq kanë vdekur disa persona që gjendeshin në qendër të qytetit.

Autoritetet ukrainase në Mykolaiv kanë bërë të ditur se raketa erdhi nga Khersoni, qytet i pushtuar nga Rusia dhe ndodhet 50 kilometra në juglindje.

Teksa shikonte zjarrfikësit duke shuar zjarrin, banorja 80-vjeçare, Ludmila Klimenko, thotë se bombardimet po ndodhin çdo ditë.

Bombardimet e fundit janë bërë në kohën kur forcat ukrainase kanë bërë përpjekje të mëdha për t’i kthyer nën kontroll territoret e pushtuara nga Rusia në pjesën jugore.