Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qytetarët në Kuvajt e Katar përballen me burg nëse nuk mbajnë maskë mbrojtëse

Kuvajti dhe Katari kanë njoftuar të dielën se do të fillojnë me burgosje dhe gjoba të majme të qytetarëve që nuk mbajnë maska në fytyrë, shkruan agjencia Reuters.

Kjo iniciativë është marrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë së Kuvajtit ka thënë se çdo person që kapet pa maskë në fytyrë rrezikon deri në tre muaj burg, ndërsa Katari ka paralajmëruar dënim me burg deri në tre vjet.

Në Kuvajt gjoba maksimale është 16.200 dollarë, ndërsa në Katar 55 mijë dollarë. Gjashtë shtetet e Gjirit Persik kanë raportuar në total më tepër se 137 mijë të infektuar dhe afro 700 të vdekur, transmeton KOHA.

Rastet në rajon fillimisht ishin lidhur me udhëtimet e shumta, por më vonë filloi përhapja e virusit në mesin e punëtorëve migrantë. Arabia Saudite, me popullatë rreth 30 milionë banorë, ka regjistruar rreth 55 mijë raste dhe 312 të vdekur.

Katari, që ka rreth 2.8 milionë banorë, ka numrin e dytë më të madh të infektuarve në këtë rajon me 32.600 sosh, dhe 15 të vdekur. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë regjistruar 220 të vdekur dhe 23.350 të infektuar nga COVID-19.