Ngordhja e “paprecedentë” e qindra elefantëve në Botswana dy muajt e fundit ende është një mister.
Doktor Nail McCann nga organizata National Park Rescue i Britanisë ka thënë se kolegët e tij në këtë shtet në jug të Afrikës kanë gjetur më shumë se 350 elefantë të ngordhur në Deltën Okavango që nga fillimi i muajit maj, shkruan BBC.
Askush nuk e di pse po ngordhin kafshët, ndërsa rezultatet e laboratorit do të shihen pas disa jave, thotë qeveria.
Botswana është shtëpi e një të tretës së popullatës së elefantëve në botë, popullatë e cila po zvogëlohet vazhdimisht e më shumë, transmeton KOHA.
Dr.McCan, tha se konservatorët kishin spikatur 169 elefantë të ngordhur brenda fluturimit tre orësh, gjë që është e jashtëzakonshme.
“Një muaj më pas, hetimet e mëtutjeshme identifikuan edhe kufoma tjera, duke e sjellë numrin në 350”, shtoi ai.
Në muajin maj, qeveria e Botswanës tha se nuk ishte fjalë për gjuetinë pa leje ngase elefantëve nuk iu mungonin dhëmbët.
Por as nuk është vendosur nëse po ngordhin nga sëmundja ose helmimi.
“Mënyra se si po ngordhin këto kafshë, shumica e të cilëve po bien me fytyrë për toke, dhe pamja e elefantëve tjerë që po ecin rrotull në qark, po tregon që diçka ndoshta nuk është në rregull me sistemet e tyre neurologjike”, ka thënë Dr. McCann.
Dr.Cyril Raolo, drejtori i departamentit të parqeve kombëtare dhe kafshëve të egra të Botswanas tha për Guardianin që deri tani ishte konfirmuar ngordhja e 280 elefantëve.Sidoqoftë, ende nuk dihet arsyeja.