Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Që Etiopia të mos bëhet Jugosllavia e radhës

Florian Bieber dhe Wondemagegn Tadesse Goshu - Analizë e “Foreign Policy Magazine”

Brenda pak muajsh Etiopia kaloi nëpër një transformim dramatik. Kryeministri i ri, Abiy Ahmed, nënshkroi marrëveshje paqësore me Eritrenë pas vitesh tensionesh lodhëse.

U ka garantuar falje dhe amnisti me mijëra individëve dhe organizatave dikur të cilësuara terroriste; të gjitha grupet opozitare në Etiopi apo gjetkë janë ftuar të bëhen pjesë e transformimit paqësor; mediat janë në gjendje të raportojnë më lirshëm; këshillat e reformave ligjore dhe grupet punuese janë formuar për t’i rishikuar ligjet që ishin instrumentale në shtypjen e të drejtave civile dhe politike; dhe gjysma e kabinetit të kryeministrit është e përbërë prej grave, transmeton “Koha Ditore”.

Ky ndryshim i pashembullt dhe i shpejtë po ndodh me gjithë sfondin shqetësues të trazirave. Etiopia është një gjigant multietnik me rreth 100 milionë banorë (që u përkasin mbi 80 grupeve etnike dhe që flasin shumë gjuhë të ndryshme), duke i dhënë transformimit të tij një peshë më të madhe rajonale.

Ama ekziston edhe një rrezik. Në këtë transformim konfliktet etnike mund të rriten në intensitet dhe numër, si për shkak të një kundërpërgjigjeje nga forcat konservatore që i kundërshtojnë reformat e shpejta ashtu edhe për shkak të liberalizimit të përnjëhershëm të hapësirës publike.

Këto konflikte mund të nxisin nga ana tjetër veprime të pamenduara mirë, përfshirë secesionet, të cilat mund të kenë pasoja vdekjeprurëse në komunitetet ku dhuna ka qenë mjeti kryesor i zgjidhjes së mospajtimeve.

Rreziku i secesionizmit

Ç’është e vërteta, sistemi politik i Etiopisë sot ka shumë paralele me atë të Jugosllavisë së viteve ‘90.

Ngjashëm si në Jugosllavinë e asaj kohe, Etiopia është shtet federal me nëntë njësi të organizuara përgjatë vijave etnike: rajonet Tigray, Somalia, Amhara dhe Ormania (rreth 80 për qind e Etiopisë) i marrin emrat prej grupeve dominuese etnike.

Fuqizimi i grupeve etnike përmes autonomisë territoriale ka qenë një thikë me dy tehe: Derisa lejimi i vetëqeverisjes ka reduktuar tensionet që burojnë nga dominimi i një grupi të caktuar, e vendos përkatësinë etnike në epiqendër të politikës, e lidh atë me territorin dhe kësisoj rrezikon t’i rrisë tensionet etnike.

Jugosllavia dominohej nga një Lidhje Komuniste shumëkombëshe, e cila u shndërrua në një de facto konfederatë të partive republikanë në vitet 90. Ngjashëm, Etiopia udhëhiqet për dekada me radhë nga Fronti Revolucionar Demokratik i Popullit Etiopian (EPRDF), një koalicion ky i partive politike kryesisht etnorajonale, të dominuara nga Fronti socialist Liberal i Popullit Tigray (TPLF). Të dyja këto tipare jodemokratike të ngjashme me etnofederalizmin.

Jugosllavia ka përjetuar transformim politik në fund të 80’ave, njëjtë si Etiopia sot. Tani, njëjtë si atëherë, çështja e të ardhmes së sistemit politik e ekonomik është vënë në pah, dhe betejat politike po vihen para politikave etnike. Grupet konservatore – qoftë ato ushtarake dhe aleatet e tyre mes liderëve serbë të Jugosllavisë së moçme apo të TPLF-së e aleatëve ushtarakë dhe të inteligjencës në Etiopi – priren të humbin më së shumti prej transformimit demokratik.

Ndonëse mund të duket se aktualisht ka pak arsye për t’u frikësuar, pretendimet secesioniste të grupeve të vogla në rajonin Somali të Etiopisë kanë ekzistuar për dekada me radhë, duke e shndërruar rajonin në një zonë konflikti krejt deri para pak kohësh. Rajoni Tigray mund po ashtu të shpërthejë në krizë.

Disa mund ta konsiderojnë rrezikun si iluzionar, duke e pasur parasysh se rajonet në fjalë kanë interesa prej shtetit unik etiopian, autoritetet rajonale po bëjnë kërcënime të nënkuptuara secesionizmi dhe madje po ua mohojnë qasjen në rajon zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit, teksa po garantojnë edhe strehim të sigurt për individët e dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe korrupsion.

Pa menaxhimin e kujdesshëm të transformimit delikat, Etiopia rrezikon t’i nënshtrohet një fragmentimi të rrezikshëm të bazuar në vija etnike.

Pas vdekjes së Josip Broz Titos, presidenti i përjetshëm i federatës, më 1980, Lidhja e Komunistëve e zbuti sundimin në pjesët e mëdha të Jugosllavisë, duke zbatuar liri të mëdha mediale, të drejtën për debate publike dhe reforma ekonomike – por duke e ngritur njëkohësisht shkallën e nacionalizmit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm