Olaf Sholci i socialdemokratëve është shprehur fort i bindur se do të jetë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë. Fitorja e SPD-së (Lexo eSPeDe) pritet t’i japë fund drejtimit të kancelarisë nga CDU-ja pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh me Angela Merkelin në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.
Megjithatë, pa një fitues të qartë dhe me SPD-në me epërsi të lehtë nga zgjedhjet e 26 shtatorit, Sholci së pari duhet të arrijë marrëveshje me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë liberalë, pa të cilët nuk mund të sigurojë shumicën në Bundestag.
Edhe CDU-ja e Armin Lashetit po bën përpjekje që të sigurojë shumicën për të vazhduar qeverisjen e Gjermanisë. Përveç dallimeve për politikat e brendshme, katër partitë më të mëdha gjermane kanë pikëpamje të ndryshme edhe për politikën e jashtme.
Aleanca CDU/CSU shkruan në programin e saj zgjedhor se më i rëndësishëm se zgjerimi, është thellimi i marrëdhënieve brenda Bashkimit Evropian. Partitë konservatore vlerësojnë se nuk duhet të rrezikohet kohezioni i brendshëm i bllokut me anëtarësimin e shteteve të reja nga Ballkani Perëndimor.
Megjithatë CDU/CSU kërkon që të “intensifikohet lidhja e shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në”. Me këtë formulim të kujdesshëm në program kjo parti i shërben pjesës më konservatore të saj, që është skeptike ndaj një afrimi të nxituar të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Edhe
Merz riorganizon qeverinë para zgjedhjeve rajonale
Kurse, socialdemokratët vlerësojnë se ndikimi në ngritje i shteteve të tjera në Evropën Jugore dhe Juglindore, kërkon drejtim të ri të politikës së fqinjësisë ndaj shteteve të Ballkanit. SPD-ja kërkon shprehimisht “integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”.
Deutsche Welle vlerëson se vëmendje më të hollësishme dhe më konkrete Ballkanit dhe shqiptarëve u është kushtuar në programin e të Gjelbërve. Ata kërkojnë “hapjen e kapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
Sa i përket Kosovës, të Gjelbrit kërkojnë “liberalizimin e vizave për kosovarët”. Ndërkaq, të domosdoshme i konsiderojnë përparimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të Gjelbrit kërkojnë nxjerrjen e kriminelëve të luftës para drejtësisë dhe kundërshtojnë me vendosmëri ndryshimin e kufijve.
Demokratët e Lirë, që pritet të jenë vendimtarë për krijimin e qeverisë së re gjermane, nuk kanë program konkret për zgjerimin e BE-së dhe Ballkanin.
Edhe
Merzi paralajmëron ndryshime në kabinetin e tij
E Majta kërkon që kandidatët aktualë dhe të ardhshëm të BE-së të deklarohen pa rezerva për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Por, vëmendja kryesore e kësaj partie është te Turqia.
E vetmja parti që shprehet në program kundër zgjerimit të BE është partia e së djathtës ekstreme, AfD. AfD-ja shkruan se e "refuzon me rreptësi zgjerimin e Bashkimit Evropian". Kjo parti kërkon vetëm "partneritet të privilegjuar me shtetet e Ballkanit Perëndimor".