Botë

Partitë gjermane synojnë ta emërojnë Scholzin kancelar deri në fillimdhjetor

Tri partitë që synojnë formimin e Qeverisë së re në Gjermani kanë bërë të ditur të enjten se synojnë që kancelarin e ardhshëm të vendit ta caktojnë deri në fillim të dhjetorit. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e partive kanë thënë se përpara vetes kanë një detyrë të ndërlikuar.

Socialdemokratët e qendrës së majtë, ambientalistët e Gjelbër dhe Demokratët e Lirë pro biznesit kanë hapur bisedimet formale pas ujdisë preliminare të javës së shkuar, e cila i përcaktoi prioritetet e tyre, por i la të hapura shumë çështje.

Po qe se negociatat korrin sukses, Qeveria e re do ta çojë në opozitë bllokun e qendrës së djathtë të kancelares Angela Merkel, pas 16 vjetësh në pushtet. Pasuesi i saj do të bëhej Olaf Scholzi, i cili i çoi socialdemokratët drejt fitores së ngushtë në zgjedhjet e 26 shtatorit.

Qysh para nisjes së bisedimeve, tri partitë janë zotuar për veprim kundër ndryshimeve klimatike, temë kjo për të cilën ka insistuar Partia e Gjelbër. Ndërkaq si Socialdemokratët ashtu edhe të Gjelbrit kanë premtuar rritjen e pagës minimale në Gjermani.