Presidenti rus ka paralajmëruar se depot e armëve perëndimore në Ukrainë do të kthehen në caqe sulmesh për ushtrinë ruse. Vladimir Putini ka thënë se do të shënjestrohen edhe raketat amerikane me rreze të mesme veprimi
Moskë/Kiev, 05 qershor (AP) - Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se sulmet ruse shkatërruan tanke dhe automjete të tjera të blinduara në periferi të Kievit që i ishin dhënë Ukrainës nga vendet evropiane. Të paktën një person është plagosur pasi shpërthime të fuqishme tronditën Kievin pas javësh qetësie.
Presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin se Rusia do të godasë objektiva të reja nëse SHBA-ja fillon ta furnizojë Ukrainën me raketa me rreze më të gjatë. Nëse këto raketa ofrohen, “ne do të godasim në ato objektiva që nuk i kemi goditur ende”, citohet të ketë thënë Putini në një intervistë për kanalin televiziv shtetëror Rossiya-1.
Austin në Bruksel
Ndërkohë, Lloyd Austin, sekretari amerikan i Mbrojtjes, thotë se do të jetë nikoqir i takimit të javës së ardhshme të një grupi të krijuar për të koordinuar ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Takimi i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës do të zhvillohet në Bruksel më 15 qershor, shkruan “Kyiv Independent”, uebsajt ukrainas i lajmeve.
Edhe
Putini paralajmëron ta zgjerojë ofensivën në Ukrainë nëse bisedimet e paqes dështojnë
Ndërsa në Bruksel, Austin do të marrë pjesë gjithashtu në një takim të NATO-s për të diskutuar ofertat e Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar në aleancën e sigurisë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, thotë se kisha kryesore në Sviatohirsk Lavra, një nga vendet më të shenjta të krishtera ortodokse të vendit, është djegur pas një sulmi rus. Ai thotë se luftimet në rrugë po vazhdojnë në qytetin e Severodonetskut, ku situata mbetet "jashtëzakonisht e vështirë".
Guvernatori i rajonit të Luhanskut, ku ndodhet Severodonetsku, thotë se kontrolli i qytetit është i ndarë përgjysmë midis forcave ukrainase dhe ruse.
Forcat ukrainase kanë kundërsulmuar në qytetin e kontestuar Severodonetsk në Ukrainën lindore, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Britanisë.
Ukraina var shpresat tek armatimi i Perëndimit
Njëqind ditët e pushtimit rus të Ukrainës janë shndërruar në konfliktin më të tmerrshëm në dekadat e fundit të Evropës.
Mijëra civilë dhe ushtarë janë vrarë. Miliona të tjerë janë detyruar të zhvendosen.
Fabrikat, spitalet, urat, shkollat dhe shtëpitë janë bërë rrafsh me tokë.
Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kishte shpresuar se do ta merrte shpejt kontrollin e shtetit.
Edhe
Putini paralajmëron SHBA-në lidhur me ndihmën për Ukrainën
Mirëpo, kur kanë kaluar 100 ditë të luftës, Kremlini është përfshirë në një luftë të pafundme dhe pa shenja suksesi. Mirëpo, ka pak gjasa që ta lëshojë nga duart territorin që e ka pushtuar deri më tani.
Duke shfrytëzuar gabimet e Ukrainës kur Kievi nuk bllokoi kufirin me Bjellorusinë dhe rrugën për Krime nuk e forcoi sa duhet – forcat ruse përfunduan në periferi të Kievit dhe nëpër qytetet e mëdha.
Mirëpo, shumë shpejt ndërroi fotografia e luftës: kolonat e automjeteve ushtarake të Rusisë u shkatërruan nëpër autostrada. Ushtria mbeti pa furnizime, sidomos naftë dhe u bë cak i lehtë për dronët ukrainas.
Forcat ruse u tërhoqën, por lanë prapa civilë të vdekur. Pamjet e rënda nga qyteti i Buchas, një orë larg Kievit – kanë zgjuar vëmendjen e krejt botës për gjenocidin që kryen ushtarët rusë.
Ndërkohë, Rusia deklaroi se ishte përqendruar në rajonin lindor të Donbasit, në të cilin separatistët e përkrahur nga Moska kanë luftuar me forcat ukrainase që prej vitit 2014.
Rusia ka pushtuar territor të madh përreth Krimesë, të cilën e aneksoi para tetë vjetësh.
Ka arritur që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Azovit, duke marrë kontrollin e qytetit të Mariupolit pas tre muajsh rrethim të plotë.
Humbjet e mëdha ushtarake kanë detyruar Moskën që të varet kryesisht nga grupet e vogla të ushtarëve që kanë dështuar në përpjekjet e tyre për të marrë kontrollin e territoreve në lindje të Ukrainës.
Edhe
Paralajmërimi i Putinit: Trupat perëndimore në Ukrainë do të jenë objektiva legjitime për Rusinë
Edhe beteja për lindjen është zgjeruar pasi Perëndimi po armatos Ukrainën me armatim më të sofistikuar. Ukraina synon që të ketë armatimin e njëjtë me Rusinë me qëllim që të pamundësojë pushtimin e krejt pjesës lindore të shtetit.
Mirëpo, ekspertët ushtarakë janë shprehur të bindur se Rusia do të marrë kontrollin e disa pjesëve të Donbasit dhe deri në vjeshtë synon të ketë kontroll të plotë të territoreve të pushtuara.