Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se do të vijë koha kur do ta emërojë pasardhësin e tij të mundshëm, por shtoi se në fund zgjedhja do t’u takojë vetëm votuesve.
68 vjeçari ka qenë në pushtet si president ose si kryeministër që prej mbi dy dekadash. Mandati i tij aktual gjashtë-vjeçar në Kremlin do të përfundojë më 2024 dhe deklaratat e tij po analizohen nga afër për të gjetur të dhëna nëse ai planifikon ta zgjasë pushtetin e tij, raporton Reuters.
Rusia ndryshoi kushtetutën e saj vitin e kaluar me urdhrin e Putinit duke e lejuar atë të kandidojë për dy mandate të tjera 6-vjeçare në Kremlin, dhe potencialisht të mbetet president deri më 2036.
"Do të vijë një kohë kur, shpresoj, mund të them se një person i tillë është i denjë për mendimin tim të drejtojë një vend kaq të mrekullueshëm si Rusia, atdheu ynë", tha Putini.
Më vonë, analisti politik që dikur punoi në administratën presidenciale, Alexei Chesnakov, ka shkruar: “Një sinjal. Do të ketë një pasardhës”.