Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të martën se përgjigja e Gjermanisë ndaj shpërthimit në gazsjellësin Nord Stream 2 tregoi se vendi ishte ende i “pushtuar” dhe jo i pavarur dekada pasi u dorëzua në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Në një intervistë për televizionin rus, Putin ka thënë gjithashtu se liderët evropianë kanë humbur ndjenjën e sovranitetit dhe pavarësisë.
Vendet perëndimore, duke përfshirë Gjermaninë, reaguan me kujdes ndaj shpërthimit që dëmtoi gazsjellësin rus Nord Stream vitin e kaluar, duke thënë se ata besonin se ishte një akt i qëllimshëm, por nuk thanë se kush mbante përgjegjësi.
“Fakti është se politikanët evropianë thanë publikisht se pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania nuk ishte një vend plotësisht sovran”, ka thënë Putin për televizionin Rossiya-1, sipas agjencive ruse të lajmeve.
"Bashkimi Sovjetik në një moment tërhoqi forcat e tij dhe i dha fund asaj që mund të konsiderohej si pushtim i vendit. Por siç dihet, kjo nuk ndodhi me amerikanët. Ata ende po pushtojnë Gjermaninë”, ka shtuar ai.
Putini ka thënë se shpërthimi i gazsjellësit u krye në “nivel shtetëror” dhe se ishte “marrëzi e pastër” që u krye nga një grup pro-ukrainas.
Tubacioni duhej të dërgonte gazin rus në Gjermani, por Berlini reduktoi varësinë nga burimet ruse të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar.